Saliu: BDI ndryshon qëndrimet sipas interesit, jo parimit

Deputetja e koalicionit VLEN, Imerlije Saliu, ka reaguar ndaj qëndrimeve të fundit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) lidhur me çështjen e qeverisë teknike, duke i akuzuar për mungesë konsistence dhe standarde të dyfishta.
Sipas saj, qëndrimi aktual i BDI-së bie ndesh me deklaratat e mëhershme të vetë zyrtarëve të saj, të cilët nuk e kundërshtonin parimin e heqjes së qeverisë teknike, por vetëm kohën e zbatimit.
“Është e çuditshme se si sot BDI flet për ‘shkelje’ dhe ‘balancë’, ndërsa dje vetë pranonte ndryshimin e rregullave, por vetëm kur i’u leverdiste”, deklaroi Saliu.
Ajo rikujtoi se në fund të vitit 2023, përfaqësues të lartë të BDI-së kishin shprehur gatishmëri për heqjen e modelit të Qeverisë së Përzhinës, por jo për zgjedhjet e fundit.
“Në atë periudhë nuk e kundërshtonin parimin, por vetëm momentin politik dhe interesin elektoral”, theksoi ajo.
Saliu shtoi se kjo qasje lidhej me kalkulimet politike të BDI-së për zgjedhjet parlamentare, të cilat sipas saj nuk rezultuan sipas pritjeve të tyre.
“Sot, pasi kalkulimi ju dështoi, mbajnë ligjërata për mekanizma kushtetues. Kjo nuk është parim, është standard i dyfishtë që qytetarët tashmë e kuptojnë shumë mirë”, u shpreh deputetja e VLEN-it.



