Suedia paralajmëron për mungesë të mundshme të karburantit për avionë

Suedia ka nxjerrë një paralajmërim të hershëm për mungesë të mundshme të karburantit për avionë shkaku i luftës në Lindjen e Mesme, ka deklaruar të martën (28.04.2026) ministrja e Energjisë, Ebba Busch, raporton Reuters.
“Kjo bazohet në vlerësimin e Agjencisë së Energjisë”, ka deklaruar Busch në një konferencë për shtyp.
Suedia mund të përballet me racionimin e karburantit të aviacionit në rastin më të keq, por situata në të ardhmen varet në masë të madhe nga mënyra sesi përshtatet tregu, ka theksuar drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë së Energjisë, Caroline Asserup.
Ndërkohë presidenti amerikan, Donald Trump, u ka thënë këshilltarëve se nuk është i kënaqur me propozimin e fundit të Iranit për të rihapur Ngushticën e Hormuzit dhe për t’i dhënë fund luftës, kanë treguar shumë persona të informuar mbi diskutimet në Dhomën e Situatave të Shtëpisë së Bardhë, ka raportuar të martën (28.04.2026) gazeta “The New York Times”.
Propozimi njashtu u bënte thirrje Shteteve të Bashkuara të përfundonin bllokadën detare, por do të linte anash pyetjet se çfarë të bëhej me programin bërthamor të Iranit, kanë raportuar zyrtarë amerikanë dhe iranianë të informuar me detajet e negociatave.
Irani ka hedhur poshtë vazhdimisht propozimet amerikane për pezullimin e programit bërthamor dhe për dorëzimin e rezervave të uraniumit të pasuruar shumë.
Nuk është e qartë saktësisht pse presidenti Trump nuk është i kënaqur me propozimin, por ka këmbëngulur vazhdimisht se Irani nuk mund të ketë armë bërthamore.



