Kallëzim penal kundër presidentit izraelit në Davos
Presidenti izraelit Isaac Herzog është subjekt i kallëzimit penal gjatë vizitës së tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, kanë konfirmuar prokurorët zviceranë, në një kohë kur Izraeli e gjen veten të akuzuar për kryerjen e krimeve të luftës në Gaza.
“Kallëzimet penale do të shqyrtohen sipas procedurës së zakonshme,” tha të premten Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm zviceran, duke shtuar se do të kontaktojë Ministrinë e Jashtme zvicerane për të shqyrtuar çështjen e imunitetit të individit në fjalë.
Në teori, vendet e treta nuk kanë juridiksion penal mbi krerët aktualë të shteteve, krerët e qeverive dhe ministrat e jashtëm të vendeve të tjera. Nuk janë specifikuar arsyet e kallëzimeve dhe kush i ka bërë ato.
Një zëdhënës i zyrës së Herzog nuk komentoi deklaratën e prokurorëve zviceranë, duke thënë vetëm se Herzog kishte qenë në Davos për të paraqitur qëndrimin e Izraelit për situatën në Gaza.
Agjencia e lajmeve AFP mori një deklaratë që dyshohet se është lëshuar nga njerëzit që qëndrojnë pas ankesës, të titulluar “Veprim ligjor kundër krimeve kundër njerëzimit”. Agjencia ka shkruar se disa individë të paidentifikuar kishin ngritur akuza tek prokurorët federalë dhe tek autoritetet kantonale në Bazel, Bernë dhe Cyrih.
Kallëzimet penale janë bërë paralelisht me një çështje të paraqitur para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të Kombeve të Bashkuara nga Afrika e Jugut, e cila ka akuzuar Izraelin për gjenocid në ofensivën e tij në Gaza.
Ndërsa mund të duhen vite që GJND-ja të nxjerrë një vendim përfundimtar, Afrika e Jugut i kërkoi gjykatës të udhëzojë “masa të përkohshme” – një urdhër i përkohshëm për Izraelin që të ndalojë luftën – derisa çështja është në pritje.
Izraeli i ka quajtur akuzat e Afrikës së Jugut “të pabaza” dhe një “shpifje”.
Juridiksioni Universal
Arsyet pas ankesave të paraqitura në prokurorinë zvicerane janë të paqarta, tha redaktori diplomatik i Al Jazeera, James Bays. Ata mund të lidhen me diçka që ndodhi në Zvicër ndërsa Herzog merrte pjesë në samitin e Davosit, shpjegoi ai, ose mund të lidhen me deklaratat e mëparshme që Herzog bëri për palestinezët, të cilat u cituan gjithashtu nga ekipi ligjor i Afrikës së Jugut në Hagë gjatë prezantimit të çështjes së tyre.
Ditë pas 7 tetorit – kur luftëtarët e Hamasit filluan një sulm të paprecedentë në Izraelin jugor duke vrarë afro 1200 njerëz – presidenti izraelit tha se nuk ishin vetëm luftëtarët e Hamasit, por “një komb i tërë” ai që ishte përgjegjës për dhunën dhe se Izraeli do të luftonte “derisa ta thyej shtyllën e tyre”.
Pas sulmit të Hamasit, Izraeli filloi një bombardim të egër të Gazës që ka vrarë më shumë se 24,500 njerëz, 70 për qind e të cilëve janë gra dhe fëmijë, sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara.
Nëse ndiqet penalisht, një rast i tillë i paraqitur në gjykatën zvicerane do të trajtohet nën “juridiksionin universal”, tha për Al Jazeera William Shabas, një profesor i ligjit ndërkombëtar penal dhe të të drejtave të njeriut në Universitetin Middlesex në MB.
Sipas ligjit ndërkombëtar, juridiksioni universal bazohet në parimin se disa krime janë aq të rënda sa autorët e tyre duhet të ndiqen penalisht duke kapërcyer kufijtë. Kjo do të thotë se shtetet ose organizatat ndërkombëtare mund të paraqesin ankesa ligjore kundër njerëzve pavarësisht nga kombësia e tyre ose ku është kryer krimi i supozuar. Raste të tilla zakonisht lidhen me krime ndërkombëtare.
“Dikur ishte jashtëzakonisht e rrallë që kjo të ndodhte, por gjithnjë e më shumë, veçanërisht në vendet evropiane, ka një përpjekje për të ndjekur penalisht krime të tilla – krimi i gjenocidit, krimet e luftës, e kështu me radhë, duke përdorur juridiksionin universal”, tha Shabas.
“Pengesa do të ishte imuniteti i supozuar i një presidenti të një vendi – ky do të jetë një problem real”, shtoi ai.
Duke trajtuar çështjen e imunitetit, deklarata e parë nga AFP sugjeroi se ai mund të hiqet “në rrethana të caktuara”, përfshirë në rastet e krimeve të dyshuara kundër njerëzimit, duke shtuar se “këto kushte janë përmbushur në këtë rast”.
Një tjetër pengesë që prokurori të vazhdojë, tha Shabas, do të ishte marrja e “një niveli miratimi politik”.