Gjashtë raste dhune familjare në 24 orët e fundit, katër persona të arrestuar në disa qytete të vendit

Për dhunë familjare në 24 orët e fundit janë denoncuar gjashtë raste, në disa qytete të vendit. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, katër persona janë privuar nga liria. Njëri rast ka ndodhur në Kumanovë, ku një 49-vjeçar ka denoncuar se është sulmuar fizikisht nga bashkëshortja e tij. Në rajonin e Tetovës, është denoncuar se 70-vjeçarja është sulmuar nga nusja e djalit, e cila më pas është ndaluar nga policia.
Në Negotinë, një 37-vjeçar është ndaluar nga policia pasi dyshohet se e ka kërcënuar bashkëshorten me mjet të mprehtë ndërsa në Shkup, një 43-vjeçar është arrestuar për sulm fizik ndaj bashkëshortes së tij. Po ashtu në Shkup, një 27-vjeçar është privuar nga liria për sjellje agresive dhe dhunë ndaj prindërve. Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se po vijojnë me dokumentimin dhe zbardhjen e plotë të rasteve.



