Nikolloski: Do të blihen të paktën 5 lokomotiva të reja, linja e parë e trenit urban në funksion nga 1 shtatori

Hekurudha e Maqedonisë-Transport ka nënshkruar marrëveshje me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për të paktën pesë lokomotiva të reja të mallrave, ndërsa po punohet edhe me Bankën Botërore për furnizimin me trena të rinj. Kështu ka njoftuar ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski, transmeton Portalb.mk.

Ministri përmendi edhe projektin për trenin urban, ku linja e parë tha se do të fillojë të funksionojë më 1 shtator, si dhe prokurimi i autobusëve të rinj elektrikë.

Nikolloski theksoi se ky është një nga projektet më të rëndësishme që po realizohen.

“Së pari, do të ndihmojë shumë në uljen e ndotjes në Shkup, së dyti, do të ndryshojë sistemin e jetesës në vendbanimet periferike dhe së treti, do të sjellë një kulturë të përdorimit më të vogël të makinave dhe më shumë të trenit. Tashmë jemi në fazë të avancuar të linjës që shkon nga Zelenikova – Draçeva – Lisiçe – Kisella Vodë – Aerodrom deri te Stacioni i ri hekurudhor i Shkupit. Duhet të përfundojë deri në fund të qershorit, në mënyrë që nga 1 shtatori të funksionojë kjo linjë”, deklaroi Nikolloski.

Paralelisht me këtë ai shtoi se po punohet në projektim me Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe në gjysmën e dytë të këtij viti do të shpallet tender edhe për dy linjat e tjera – nga Stacioni i ri hekurudhor përmes Butelit – Shkup Veri deri në Gjorçe Petrov, dhe linja tjetër nga Stacioni i ri hekurudhor përmes Autokomandës – Maxhari dhe përfundon në Ilinden.

“Pres që ato të përfundojnë në fund të vitit 2027, fillim të vitit 2028. Nëse kësaj i shtojmë se këtë vjeshtë Shkupi do të marrë 100 autobusë elektrikë, kjo do të thotë shumë në uljen e ndotjes në qytet”, tha Nikolloski.

Ky investim do të realizohet përmes një Marrëveshjeje Huaje midis “Hekurudhat e Maqedonisë Transport” dhe BERZH-it, ndërsa i parapriu një analizë e plotë e nevojave reale, funksionalitetit dhe operueshmërisë së HM Transport – analizë që tregoi qartë se pa lokomotiva moderne dhe funksionale, hekurudha nuk mund ta përmbushë rolin e saj ekonomik.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button