Gjashtë të dyshuar në aferën me botoks dhe fillerë të falsifikuar përfundojnë në paraburgim

Gjykata Penale u ka caktuar masën e paraburgimit efektiv gjashtë personave të dyshuar në lidhje me skandalin e botoksit dhe fillerëve të falsifikuar, të cilët u janë injektuar pacienteve në Maqedoninë e Veriut. Për katër persona është caktuar masa e arrestit shtëpiak, ndërsa nëntë të tjerë janë lënë me masa kujdesi.
Rrjeti është nën hetim për dyshime se ka kontrabanduar botoks dhe fillerë, të cilët në Maqedoninë e Veriut konsiderohen barna dhe mjete mjekësore, pa i regjistruar në Agjencinë për Barna dhe Pajisje Mjekësore. Po ashtu, këto produkte nuk kanë pasur etiketa, deklaracione apo kontrolle përkatëse. Sipas dyshimeve, kontrabanda është kryer me ndërmjetësimin e një doganieri, i cili dyshohet se ka marrë ryshfet, ndërsa më pas këta fillerë dhe botokse janë përdorur te gra që kanë kryer ndërhyrje estetike në vend. Produktet janë të markave “Revolax” dhe “Dysport”.
Nga Ministria e Shëndetësisë ende nuk ka rekomandime konkrete për pacientet që janë trajtuar me këto produkte të falsifikuara, si dhe nuk është bërë e ditur nëse ato duhet t’i nënshtrohen ndonjë kontrolli mjekësor.
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, e ka përshëndetur aksionin dhe u ka bërë thirrje qytetarëve të përdorin shërbime vetëm nga ofrues të autorizuar dhe të licencuar të kujdesit shëndetësor, edhe pse disa nga mjekët e arrestuar janë pikërisht të tillë – të licencuar dhe të punësuar në klinika universitare shtetërore të specializuara për dermatologji.



