Sulejmani: Për aq kohë sa VLEN-i është pjesë e qeverisë, nuk do të lejohet mbyllja e asnjë institucioni shqiptar

Zëvendësministri i Kulturës dhe Turizmit në Maqedoninë e Veriut, Sedat Sulejmani, ka hedhur poshtë zërat që kanë qarkulluar në opinion publik për mbylljen e Ansamblit Muzikor të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Tetovë.
Në një deklaratë për media, Sulejmani theksoi se këto pretendime nuk qëndrojnë dhe nuk pasqyrojnë realitetin.
“Së paku për aq kohë sa VLEN është pjesë e qeverisë, nuk do të mbyllet asnjë institucion shqiptar. Ajo që po flitet në opinion nuk ka të bëjë me realitetin”, deklaroi ai.
Ai bëri të ditur se çështja e Ansamblit të Tetovës është diskutuar edhe në një mbledhje të fundit me zëvendëskryeministrin Bekim Sali dhe ministrin e Kulturës, ku është konfirmuar se nuk ka asnjë vendim për mbyllje.
Sulejmani shtoi se, pas kompletimit të dokumentacionit të nevojshëm, pritet që së shpejti të dërgohet kërkesa për punësime të reja në këtë ansambël, duke shprehur shpresën se rreth 20 persona do të angazhohen.
Po ashtu, ai njoftoi për një zhvillim pozitiv edhe për Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore në Shkup, ku sipas tij, Ministria e Financave ka dhënë pëlqimin për 5 punësime të reja shtesë, për të cilat institucioni kishte qenë në pritje.



