OKB: Sulmet në Gaza janë rritur me 46 për qind në një javë që nga armëpushimi

OKB-ja ka bërë të ditur se dhuna në Rripin e Gazës është rritur në nivelin më të lartë që nga armëpushimi i 10 tetorit të vitit 2025, me incidentet që u rritën me gati gjysmën krahasuar me javën e mëparshme, transmeton Anadolu.

“Partnerët tanë në terren raportojnë se midis 12 dhe 18 prillit, incidente si të shtënat, bombardimet dhe sulmet u rritën me 46 për qind krahasuar me javën e mëparshme, duke shënuar nivelin më të lartë javor që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes së armëpushimit në tetor”, tha zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, në një konferencë për media.

Dujarric theksoi se “rajonet Gaza Veriore, Gaza dhe Deir al Balah panë rritjet më të mëdha”.

Në aspektin humanitar, ai paralajmëroi se kufizimet po pengojnë përpjekjet për të adresuar rrezikun nga mjetet shpërthyese të pashpërthyera në të gjithë territorin.

Teksa partnerët për çminim kanë zhvilluar sesione edukimi për dhjetëra mijëra civilë, ai tha se “trajtim më efektiv i këtij kërcënimi kërkon hyrjen e pajisjeve të specializuara dhe një gamë të plotë aktivitetesh për pastrim dhe asgjësim”.

“Kufizimet, përfshirë kufizimet për hyrjen e pajisjeve të nevojshme për asgjësimin e mjeteve shpërthyese, vazhdojnë të pengojnë përgjigjen e përgjithshme humanitare”, shtoi ai.

Sulmet vijnë si pjesë e shkeljeve të vazhdueshme të armëpushimit nga Izraeli.

Zyra e Medias në Gaza tha se forcat izraelite kanë kryer 2/400 shkelje që nga marrëveshja, përfshirë vrasje, arrestime, bllokada dhe masa urie.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, këto shkelje kanë rezultuar në vdekjen e 777 palestinezëve dhe plagosjen e 2.193 të tjerëve deri të hënën.

Armëpushimi pasoi dy vite të luftës gjenocidale të Izraelit që filloi në tetor të vitit 2023, e cila ka vrarë më shumë se 72 mijë palestinezë dhe ka plagosur mbi 172 mijë të tjerë , ndërsa ka shkatërruar 90 për qind të infrastrukturës civile të Gazës.

Duke iu referuar Zyrës për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, Dujarric theksoi modelin shqetësues të dhunës izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Ai tha se “gjatë tremujorit të parë të vitit, 33 palestinezë janë vrarë dhe 790 janë plagosur nga forcat izraelite ose kolonët, ndërsa mbi 540 sulme nga kolonët izraelitë kanë shkaktuar viktima ose dëme në pronë”.

Ai theksoi se “sulmet që prekin civilët duhet të hetohen dhe civilët duhet të mbrohen” dhe se Izraeli, si fuqi pushtuese, “ka detyrimin të mbrojë popullsinë palestineze dhe autorët duhet të mbahen përgjegjës në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare”.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button