Trump: SHBA-ja “shumë afër” arritjes së një marrëveshjeje me Iranin

Presidenti amerikan Donald Trump tha të enjten se SHBA-ja është “shumë afër” arritjes së një marrëveshjeje me Iranin, ndërsa armëpushimi dyjavor mes dy vendeve po i afrohet skadimit, transmeton Anadolu.

“Dhe nëse kjo ndodh, nafta bie shumë, çmimet bien shumë, inflacioni bie shumë, dhe nuk do të keni holokaust bërthamor”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë. “Po kemi marrëdhënie shumë të mira me udhëheqësit e rinj iranianë. Në të vërtetë është një ndryshim regjimi”, shtoi ai.

Megjithatë, Trump nuk dha mesazh të qartë nëse armëpushimi do të zgjatet.

“Nuk jam i sigurt nëse ka nevojë të zgjatet”, tha ai, duke shtuar gjithashtu: “Irani dëshiron të bëjë një marrëveshje, dhe ne po bashkëpunojmë shumë mirë me ta … dhe ata janë të gatshëm të bëjnë gjëra sot që nuk ishin të gatshëm t’i bënin para dy muajsh”.

Ai pretendoi se Irani ka rënë dakord të mos ketë armë bërthamore. “Ata janë pajtuar me këtë, shumë fuqishëm, janë pajtuar të na kthejnë pluhurin bërthamor”.

Trump tha se mund të vizitojë Islamabadin nëse arrihet një marrëveshje.

I pyetur për raundin e ardhshëm të bisedimeve të drejtpërdrejta, Trump u përgjigj se ai do të zhvillohet “ndoshta gjatë fundjavës”.

Ai tha se marrëveshja do të shpallet “mjaft shpejt”, duke shtuar: “Kjo do të na japë naftë falas dhe Ngushticën e Hormuzit falas. Gjithçka do të jetë mirë dhe mendoj se çmimi i naftës do të bjerë më poshtë se sa ishte më parë”.

Deklaratat e tij vijnë ndërsa SHBA-ja dhe Irani po zhvillojnë negociata, të ndërmjetësuara nga Pakistani, për të zgjatur armëpushimin dyjavor të shpallur javën e kaluar, i cili pritet të skadojë më 22 prill.

Më herët të enjten, sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth paralajmëroi se forcat amerikane mbeten “gati dhe të armatosura” për të rifilluar sulmet nëse Irani refuzon një marrëveshje.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button