Mickoski: Ligji për Arsimin e Lartë nuk është një çështje politike, por shtetërore, nga e cila varet e ardhmja e vendit

Ligji i propozuar për arsimin e lartë nuk po hartohet pas dyerve të mbyllura, por përmes debateve me universitetet, dhe është një zgjidhje e përbashkët me komunitetin akademik që do të japë rezultate. Ky nuk është ligj i Qeverisë apo çështje politike, por një çështje shtetërore nga e cila varet e ardhmja e vendit dhe e të rinjve, të cilët aktualisht nuk e njohin cilësinë e arsimit të lartë vendas, këtë e deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski në lidhje me pr/ligjin për Arsimin e Lartë.

Në konferencë, së bashku me ministren e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska dhe në prani të rektorëve të shtatë universiteteve publike, ai theksoi se duhet të ndalen “eksperimentet” dhe se nevojiten zgjidhje sistemore, pasi arsimi është themeli i çdo shoqërie.
Sipas tij, arsimi i lartë për një kohë të gjatë ka pësuar dëme, veçanërisht pas ndryshimeve ligjore të vitit 2018, të cilat, siç tha ai, ulën kriteret për avancim në grada akademike, reduktuan prodhimin e punimeve shkencore dhe ulën cilësinë. Ai shtoi se në vitet e fundit nuk ka pasur asnjë vlerësim serioz dhe as nuk janë propozuar zgjidhje.

“Si Qeveri nuk mund të lejojmë të humbim edhe një dekadë”, tha Mickoski, duke shtuar se tani ekziston një partneritet i vërtetë me komunitetin akademik dhe se ligji i ri po hartohet së bashku me të.
Ai theksoi se ligji i ri i arsimit të lartë i përgjigjet sfidave reale dhe është i fokusuar tek të rinjtë, me qëllim që ata të qëndrojnë në vend dhe të ndërtojnë këtu të ardhmen dhe karrierën e tyre.

Ndër risitë, sipas tij, është fakti që për herë të parë studentët më të mirë do të kenë përparësi në punësim në universitetet shtetërore, si dhe do të vendoset një model i ri financimi për institucionet e arsimit të lartë.

Mickoski njoftoi se buxheti për universitetet është 7.5 miliardë denarë dhe është dukshëm më i lartë se vitin e kaluar, duke shtuar se ky trend do të vazhdojë.

Ai shtoi se fokusi do të jetë edhe në shkencë dhe në mbështetjen e punimeve shkencore, në mënyrë që universitetet vendase të njihen sërish si qendra të cilësisë dhe inovacionit.

Ministrja Janevska prezantoi përfitimet e ligjit të ri dhe tha se në hartimin e tij janë marrë parasysh debatet e organizuara në të gjitha universitetet dhe se janë përfshirë të gjitha vërejtjet konstruktive dhe të argumentuara.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button