Shefi i ushtrisë izraelite kthen në shërbim ushtarët që abuzuan seksualisht një të ndaluar palestinez

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelite, Eyal Zamir ka miratuar kthimin në shërbim të ushtarëve të akuzuar për abuzim seksual ndaj një të ndaluari palestinez në bazën ushtarake “Sde Teiman” në jug të Izraelit, transmeton Anadolu.

Gazeta izraelite “Haaretz” tha se Zamir lejoi anëtarët e Njësisë 100, të akuzuar për abuzim seksual ndaj një të ndaluari nga Rripi i Gazës në “Sde Teiman”, të rifillojnë shërbimin rezervist pas heqjes së akuzave kundër tyre.

“Haaretz” tha se vendimi erdhi “edhe pse ushtria nuk ka kryer ende një hetim komandues” për incidentin. “Hulumtimi nuk i pengon ushtarët të shërbejnë në rezervë dhe një hetim komandues do të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ushtria izraelite.

Në korrik të vitit 2024, ushtarë në këtë objekt ndalimi torturuan dhe abuzuan seksualisht një të ndaluar palestinez, duke i shkaktuar lëndime serioze, përfshirë dëmtime të rektumit. Në muajin mars, prokuroria ushtarake hoqi akuzat ndaj pesë ushtarëve në këtë rast, duke shkaktuar kritika të gjera nga organizatat për të drejtat e njeriut.

Kreu i mbrojtjes ushtarake, Itai Ofir, në atë kohë tha se akuzat u rrëzuan për shkak të “kompleksiteteve në strukturën e provave” dhe “vështirësive” që lindën nga lirimi i të ndaluarit në Rripin e Gazës. Sipas aktakuzës, ushtarët e rrahën të ndaluarin, e tërhoqën zvarrë, e shkelën, e elektroshokuan dhe e goditën me thikë, duke i shkaktuar thyerje brinjësh dhe shpim të mushkërisë.

Më shumë se 9.600 palestinezë mbahen në burgjet izraelite, përfshirë gra dhe fëmijë, ku përballen me torturë, uri dhe neglizhencë mjekësore. Kjo, sipas grupeve palestineze dhe izraelite për të drejtat e njeriut, ka çuar në vdekjen e dhjetëra personave.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button