Rikthehet spektakli i Championsit, mbrëmje vendimtare për gjysmëfinalet

Magjia e Champions League rikthehet këtë të martë me dy përballje që pritet të vendosin emrat e parë të gjysmëfinalistëve për sezonin 2025-2026.
Vëmendja kryesore është te duelet mes Atlético Madrid dhe Barcelona, si dhe Liverpool kundër Paris Saint-Germain.
Në Madrid, Barcelona përballet me një sfidë të madhe, pasi vjen pas humbjes 0-2 në ndeshjen e parë.
Skuadra e drejtuar nga Hansi Flick do të kërkojë një reagim të fortë në transfertë për të përmbysur rezultatin dhe për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim.
Nga ana tjetër, Atlético Madridi synon të administrojë avantazhin dhe të godasë në momentet e duhura, duke shfrytëzuar çdo hapësirë që mund të lënë katalanasit.
Një gol i hershëm pritet të ketë ndikim vendimtar në rrjedhën e takimit.
Në Angli, Liverpooli ka një mision po aq të vështirë pas disfatës 0-2 në Paris.
Në “Anfield”, të kuqtë do të synojnë një tjetër përmbysje të madhe evropiane, duke u mbështetur te atmosfera e zjarrtë e tifozëve.
Megjithatë, Paris Saint-Germain mbetet një kundërshtar shumë i rrezikshëm dhe do të përpiqet të menaxhojë epërsinë, duke goditur në kundërsulm.
Sa i përket ndeshjeve të së mërkurës, Arsenal pret Sportingun e Lisbonës me avantazhin minimal 1-0, ndërsa supersfida mes Bayern Munich dhe Real Madrid mbetet plotësisht e hapur pas rezultatit 2-1 në ndeshjen e parë.
Të gjitha përballjet janë planifikuar të nisin në orën 21:00, duke premtuar emocione të mëdha dhe spektakël të vërtetë për tifozët e futbollit.



