Sezoni turistik në pikëpyetje: shumica e shteteve, pa karburant për avionët!

Situata e karburantit për avionët në Evropë është më kritike nga sa është raportuar deri më tani. Kerozina pritet të mbarojë midis javës së dytë dhe të tretë të majit, duke përfshirë edhe ngarkesat e fundit detare të ardhura nga Gjiri Persik.
Ndërkohë, rezervat strategjike të kontinentit rrezikojnë të jenë të pamjaftueshme për të garantuar fluturimet në kulmin e sezonit të verës në disa zona. Vetëm dy shtete rezulton të kenë kerozinë emergjence për nëntëdhjetë ditë, ndërsa shumica nuk do t’i mbijetonin një krize më të gjatë se tridhjetë ditë.
Madje, disa shtete kanë vetëm tetë deri në dhjetë ditë autonomi përpara se të mbeten bosh. Kjo është ajo që mëson Corriere della Sera nga tre burime që kanë njohuri mbi situatën. Është një çështje aq delikate, saqë zyrtarisht të gjithë heshtin.
Në Bruksel shpresojnë që armëpushimi midis SHBA-së dhe Iranit të mbajë, në mënyrë që të lejojë rinisjen e lëvizjes së anijeve cisternë përmes Ngushticës së Hormuzit.
“Rreziku i mungesës së kerozinës në Evropë ka kaluar nga virtual në real brenda pak ditësh” – shpjegon një nga burimet. Corriere ka parë komunikimet midis furnizuesve të karburantit dhe linjave ajrore.
Në disa aeroporte flitet për sasinë maksimale që mund të merret në bord (5 mijë kilogramë) për mjet fluturues ose për pamundësi furnizimi të avionëve privatë, për t’u dhënë prioritet fluturimeve të linjës.
Evropa importon nga Gjiri Persik 43 për qind të nevojave të saj vjetore për karburant aviacioni. Me bllokimin e kalimit të naftëmbajtëseve në atë zonë, kontinenti po vuan një rënie drastike të vëllimeve të disponueshme në prag të kulmit të trafikut.
Për më tepër, aktiviteti i rafinimit në impiantet evropiane është tashmë në maksimum. Pra, fizikisht nuk ka mundësi për të shtuar kuota prodhimi gjatë verës, konfirmojnë të tre burimet. Kështu, muaji maj shndërrohet në një periudhë vendimtare.
Nëse nuk mbërrijnë anije të tjera nga Gjiri Persik, mund të nisë fillimisht tërheqja nga rezervat strategjike dhe më pas ndalimi i furnizimit me kerozinë në aeroportet e disa vendeve.
Sipas burimeve, shtetet me vetëm pak ditë rezerva janë kryesisht ato të Evropës Lindore, por edhe disa vende të vogla në pjesën perëndimore të kontinentit.
Nga sa mësohet, Italia ka rezerva për tridhjetë deri në gjashtëdhjetë ditë. Në takimet e fundit me zyrtarët e BE-së, pronarët e naftëmbajtëseve kanë bërë të ditur se nuk mjafton që Hormuzi të rihapet në mënyrë të qëndrueshme, por është e nevojshme edhe ulja e kostos së sigurimit të anijeve.
Teksa Lindja e Mesme është aktualisht e paaftë të furnizojë Evropën me kerozinë dhe ndërsa Azia e mban prodhimin për vete – pavarësisht kapaciteteve gjigante të rafinimit – e vetmja alternativë për Kontinentin e Vjetër mbeten Shtetet e Bashkuara.
“Por duhet parë me çfarë çmimi dhe me çfarë kushtesh” – nënvizojnë burimet. Në ditët në vijim, Brukseli do të përpiqet të mbledhë shifra të përditësuara mbi sasinë reale të karburantit.
“Evropa duhet të mendojë për një plan që mbron masat zbutëse dhe që e ka të qartë se si duhet të ndahet kerozina mes vendeve” – përfundojnë burimet. /tesheshi.com/

