Spanja i kërkon BE-së të pezullojë traktatin e bashkëpunimit të vitit 1995 me Izraelin pas sulmeve në Liban

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian (BE) të pezullojë Marrëveshjen e Asociimit të vitit 1995 me Izraelin, traktatin që rregullon bashkëpunimin tregtar dhe politik, pas një vale të re sulmesh në Liban, transmeton Anadolu.
Në një postim në rrjetin social amerikan X, Sanchez tha se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, “sot nisi sulmin e tij më të ashpër ndaj Libanit që nga fillimi i ofensivës”.
Ai e përshkroi shpërfilljen e Tel Avivit për jetën dhe të drejtën ndërkombëtare si “të patolerueshme”.
Kryeministri spanjoll tha se duhet të ndërmerren veprime të menjëhershme, duke përfshirë edhe faktin që “BE-ja duhet të pezullojë Marrëveshjen e Asociimit me Izraelin”.
Ai gjithashtu tha se “Libani duhet të jetë pjesë e armëpushimit”, duke iu referuar armëpushimit të arritur dje midis SHBA-së dhe Iranit, si dhe theksoi se “komuniteti ndërkombëtar duhet ta dënojë këtë shkelje të re të së drejtës ndërkombëtare”.
Më tej, Sanchez theksoi nevojën për llogaridhënie, duke u shprehur: “Nuk duhet të ketë pandëshkueshmëri për këto akte kriminale”.
Autoritetet shëndetësore libaneze thanë se të paktën 89 persona u vranë dhe 722 të tjerë u plagosën në sulmet izraelite, duke theksuar se shifrat janë paraprake.



