Greqia do të ndalojë përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15-vjeç nga viti 2027

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis ka njoftuar një ndalim të qasjes në rrjetet sociale për fëmijët nën moshën 15-vjeç, që do të hyjë në fuqi më 1 janar 2027, transmeton Anadolu.
“Dizajni varësues i disa aplikacioneve, modeli i fitimit i bazuar te vëmendja juaj, te sa kohë kaloni para ekranit të telefonit tuaj, që ju heq një pjesë të pafajësisë dhe lirisë suaj, duhet të marrë fund në një moment”, tha Mitsotakis në një video në TikTok.
“Synimi ynë nuk është t’ju largojmë nga teknologjia, e cila mund të jetë burim frymëzimi, njohurie dhe krijimtarie. Por, shkenca është e qartë, kur një fëmijë kalon orë të tëra para ekranit, mendja e tij nuk pushon”, theksoi ai.
Transmetuesi publik ERT raportoi se Mitsotakis i dërgoi një letër presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke bërë thirrje për një kornizë në nivel të BE-së për qasjen në rrjetet sociale dhe internet për fëmijët nën 15-vjeç.
Duke iu referuar njoftimit të tij të sotëm, ai theksoi: “Megjithatë, veprimi kombëtar i vetëm nuk është i mjaftueshëm. Nevojitet një kornizë e vetme evropiane deri në fund të vitit 2026, e cila do të plotësojë dhe forcojë iniciativat kombëtare të nevojshme për mbrojtjen e të miturve”.
Mitsotakis propozoi vendosjen e një “pragu evropian të moshës digjitale” në 15-vjeç dhe një ndalim në nivel të bllokut për qasjen në rrjetet sociale për përdoruesit më të rinj. Ai tha se platformat duhet të verifikojnë moshën çdo gjashtë muaj për të parandaluar anashkalimin e rregullave.
Kryeministri grek gjithashtu bëri thirrje për një mekanizëm të thjeshtuar zbatimi në BE për të ndihmuar shtetet anëtare dhe Komisionin Evropian të vlerësojnë rastet dhe të vendosin sanksione më shpejt.



