Ish ministrat e Drejtësisë të BDI-së bashkë me Musa Xhaferin kërkuan drejtësi për studentët shqiptarë

Dikur në karrigen më të rëndësishme të Ministrisë e sot si qytetarë të revoltuar, ish ministrat e Drejtësisë nga radhët e BDI-së Blerim Bexheti, Valdet Xhaferi e Bilen Saliji sot iu bashkëngjitën protestës kundër pasardhësit të tyre Igor Fillkov, i cili nuk toleron që provimi i jurisprudencës të zhvillohet në gjuhën shqipe. Zërit ë tyre iu bashkua edhe ish numri “dy” i Ministrisë së Drejtësisë në vitet 2020-2023, zëvendësministri Agim Nuhiu.

Të gjithë këta emra në periudhën e kaluar ishin emra në listën që kundërshtarët politik i mbanin përgjegjës se pse gjatë qeverisjes së tyre si shqiptarë nuk e kanë ngritur këtë çështje, por tani që janë në opozitë kërkojnë diçka që s’e kanë bërë vet. Ish ministri Saliji përgjigjet me një fjali të shkurtër, që sot ishte edhe në pankartat e studentëve:

“Të gjitha institucionet relevante vlerësojnë se ligji është qartë, vetëm se nuk zbatohet në praktikë”, deklaroi Bilen Saliji, Ish ministër i Drejtësisë.

Lidhur me akuzat e njëjta, u deklarua edhe sekretari i përgjithshëm i BDI-së Arbër Ademi i cili mohoi se po e politizon protestën, pasi merr pjesë si profesor i Fakultetit të Drejtësisë e jo si politikan. Ademi tha se nuk është bërë provimi i jurisprudencës në gjuhën shqipe gjatë kohës së BDI-së, pasi atëherë nuk e kanë kërkuar studentët.

“Ju gënjejnë kur ju thonë se ka pasur ministra në Ministrinë e Drejtësisë për ta zbatuar. Sot kjo kërkesë është aktualizuar, sot kjo kërkesë është parashtruar dhe ne po e shohim se ligji e lejon. Tash çka të bëjmë? Në qoftë se s’ka qenë 30 vite, a nuk duhet edhe sot të jetë? Sot është aktualizuar kërkesa, sot është parashtruar kërkesa, madje nuk duhet fare kërkesë”, tha Arbër Ademi, Sekretar i Përgjithshëm.

Për të kërkuar provim të jurisprudencës në gjuhën shqipe, dolën në protestë edhe dy ish zëvendëskryeministrat Musa Xhaferi e Festim Halili, të cilët në mandatet e tyre kishin për obligim të kujdeseshin për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila një ndër shtyllat kryesore ka dhe zbatimin e shqipes.

Në krah të tyre ishin edhe shefja e grupit parlamentar të Frontit Evropian, Rina Ajdari së bashku me kolegët Arta Bilalli, Diana Toska, Sadulla Duraku, Ilir Hasani e Sali Murat.

Pos tyre u panë edhe figura të larta të BDI-së, Arbër Ademi, Bajram Rexhepi, Jeton Shaqiri e Bujar Sopa nga Forumi Rinor i BDI-së në Butel.

Në protestë ishin edhe deputetët e ASH-së, Ilire Dauti dhe Ilmi Aziri, por edhe deputeti i LSDM-së, Fatmyr Bytyqi. /Alsat.mk.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button