“Punonjësi i MPB-së arrestohet në Shkup – voziste në drejtim të kundërt dhe kërcënoi policin”

Më datë 1 prill 2026, punonjësit e policisë kanë arrestuar personin me iniciale S.R. (45), i punësuar në Sektorin për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB).
Incidenti ka ndodhur në kryqëzimin e rrugëve “Jordan Mijallkov” dhe “Dimçe Mirçev” në Shkup, gjatë kohës që një zyrtar policor po kryente rregullimin fizik të trafikut. Policia ka ndaluar automjetin e tipit “Mercedes”, të cilin po e drejtonte S.R., pasi i njëjti po lëvizte në drejtim të kundërt dhe po parakalonte kolonën e automjeteve.
Në momentin kur i është kërkuar dokumenti i identifikimit, S.R. është prezantuar si punonjës i MPB-së dhe ka deklaruar se nuk posedon letërnjoftim. Menjëherë pas kësaj, ai ka filluar të sillet në mënyrë agresive dhe ka drejtuar kërcënime ndaj zyrtarit policor në detyrë.
Pas arrestimit, është njoftuar Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminale dhe Standarde Profesionale. Ndaj tij janë ngritur padi për shkelje të rënda të Ligjit për Sigurinë në Komunikacion (nenet 23, 54 dhe 86), për prishje të rendit dhe qetësisë publike (neni 4), si dhe për mosposedim të letërnjoftimit.



