Avokati i Popullit prezantoi raportin vjetor lidhur me respektimin, realizimin dhe avancimin e të drejtave të njeriut

Dhuna në familje dhe dhuna me bazë gjinore ishin kryefjala e raportit vjetor të Avokatit të Popullit, Faton Selami për gjendjen me sigurimin, respektimin, realizimin dhe avancimin e lirive dhe të drejtave të njeriut gjatë vitit të kaluar. Avokati i Popullit ka konstatuar se si pasojë e Femicidit, gjatë vitit 2025 disa gra kanë humbur jetën. Nevojitet ndërhyrje policore më e shpejtë dhe e menjëhershme për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së viktimave të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.
“Avokati i Popullit duke vepruar sipas lëndëve për rastet e femicidit, konstaton se ekzistojnë lëshime në reagimin e institucional i cili sipas të konstatuarës, më së shpeshti nuk është në kohë për shkak të së cilës është e nevojshme të sigurohet parandalimi dhe ndjekje sistemore e koordinuar e familjeve me sjellje të rrezikshme si dhe vendosja e mekanizmave të cilat mundësojnë ndërhyrje të hershme dhe mbrojtje të fëmijëve dhe anëtarëve tjerë të familjes edhe kur viktima formalisht nuk paraqet kallëzim”, deklaroi Faton Selami, Avokat i Popullit.
Nga ana tjetër, ashtu edhe sikur në raportet e viteve paraprake, Avokati i Popullit e përsëriti nevojën për përmirësimin e kushteve nëpër burgje.
“Fushë në të cilën nuk ka aspak përparim janë institucionet ndëshkuese-korrektuese, në të cilat kushtet e qëndrimit edhe më tej janë tejet jonjerëzore, degraduese dhe nën çdo dinjitet njerëzor, ndërsa kujdesi shëndetësor i këtyre personave, përkundër vërejtjeve të shumta të Avokatit të Popullit, për fat të keq mbetet i pandryshuar, veçanërisht kur bëhet fjalë për shfrytëzimin e shërbimeve të shëndetësisë terciare, përkatësisht trajtimin jashtë institucionit”, tha Faton Selami, Avokat i Popullit.
Vitin e kaluar institucioni ka shqyrtuar gjithsej 2.921 parashtresa. Qytetarët më së shumti kanë trokitur për hallet e tyre me gjyqësorin, shkeljen e të drejtave të konsumatorit, por edhe për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.
Avokati i Popullit theksoi që puna e përmbaruesve vazhdon të krijojë probleme për qytetarët të cilët zhvillojnë procedura nëpër gjykata. Qytetarët janë ankuar gjithashtu edhe për fushën e urbanzimimit dhe ndërtimit, sigurimit pensional dhe invalidor, por edhe mbrojtjen shëndetësore.
Pavarësisht vërejtjeve, institucionet nuk kanë vepruar ndaj problemeve të personave me aftësi ndryshe lidhur me mundësinë e tyre për votim të pavarur dhe të fshehtë./Alsat.mk.



