Foda: Dëshirojmë që finalen ta luajmë në Kosovë, do të bëjmë çmos për ta mposhtur Sllovakinë
"Dëshirojmë që finalen ta luajmë në shtëpi dhe do të bëjmë gjithçka që është e mundur që të fitojmë ndeshjen kundër Sllovakisë atje", tha përzgjedhësi i kombëtares kosovare, Foda

Përzgjedhësi i kombëtares kosovare në futboll, Franco Foda, është shprehur optimist në prag të ndeshjes së Kosovës me Sllovakinë për kualifikimet për Botërorin 2026, raporton Anadolu.
Foda në një konferencë për media në ditën kur kombëtarja kosovare fillon me përgatitjet për ndeshjen e së enjtes, tha se janë të vetëdijshëm që ndeshja me Sllovakinë nuk do të jetë e lehtë dhe se Sllovakia ka një ekip shumë të fuqishëm, por, ka besim në përfaqësuesen kosovare.
“Ne kemi treguar kualitetet tona, sidomos në ndeshjet e fazës së grupeve, kemi treguar që edhe si mysafirë mund të luajmë shumë mirë dhe mund të fitojmë ndeshje. Tani kemi tre ditë stërvitje në të cilat do të stërvitemi intensivisht për ndeshjen e radhës dhe sigurisht se dëshirojmë që finalen ta luajmë në shtëpi dhe do të bëjmë gjithçka që është e mundur që të fitojmë ndeshjen kundër Sllovakisë atje”, tha Foda.
Përzgjedhësi i kombëtares kosovare, Foda, tha se kur Kosova ka filluar në fazën e grupeve ka parë që do të përballet me ekipe të vështira dhe ka qenë ëndërr që t’i kalojë ato dhe tani ndodhet në fazën e “play off”-it ku mund të shkruajë histori.
Ai thotë se Sllovakia ka triumfuar kundër Gjermanisë në vendin e vet dhe kjo tregon cilësitë e kësaj kombëtare, por thotë se Kosova i ka të motivuar dhe me shpirt luftarak lojtarët dhe ndeshjen e së enjtes mund ta vendosin detajet e vogla.
Duke folur për disa mungesa tek formacioni, sikurse mungesa e kapitenit Amir Rrahmani dhe mesfushorit Leon Abdullahu, përzgjedhësi tha se ata do t’i mungojnë ekipit, mirëpo tashmë janë bërë kalkulimet për zëvendësimin e tyre.
“Po besojmë që do t’i gjejmë zgjidhjet e duhura, ashtu siç treguam në fazën e grupeve dhe lojërat kualifikuese ku ishim në gjendje që t’i zëvendësojmë edhe lojtarët shumë të fuqishëm që mungonin. Kjo është shumë e rëndësishme dhe ne gjithmonë kemi treguar që këta lojtarë që i kemi futur si zëvendësim e kanë treguar vetën dhe kanë treguar që e kanë merituar vendin”, thotë Foda.
Ai tha se lojtarët e ftuar janë në top-formë, por sipas tij, do të punohet në aspektin taktik në mënyrë që të gjithë lojtarët të jenë të gatshëm për ballafaqimin me Sllovakinë.
Kombëtarja kosovare do të kërkojë fitore ndaj sllovakëve për të siguruar një vend në finalen e madhe të fazës së “play-off”-it. Në rast të fitores ndaj Sllovakisë, Kosova në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, do të luaj më 31 mars kundër fituesit të ndeshjes Turqi-Rumani.



