Mucunski: Prioriteti ynë është hapja e negociatave dhe anëtarësimi sa më shpejtë i vendit në BE

Prioriteti ynë strategjik është hapja e negociatave dhe anëtarësimi sa më i shpejtë në Bashkimin Evropian, theksoi ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski.

Gjatë pjesëmarrjes në intervistën për TV Alsat, Mucunski theksoi se shteti vazhdimisht po ndjek diskutimin në kuadër të institucioneve evropiane dhe debatet e ndryshme që po zhvillohen.

“Ne sigurisht se e ndjekim diskutimin, si dhe debatet e ndryshme që ekzistojnë, por në këtë moment prioriteti ynë strategjik i politikës së jashtme është hapja e negociatave për anëtarësim sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian”, theksoi ai.

Në aspekt të mënyrës se si merren vendimet në Bashkimin Evropian, siç thekson Mucunski, nevojitet një konsensus për çdo ndryshim në metodologjinë ose rregullat që lidhen me zgjerimin.

“Sipas asaj që po dëgjojmë, ekzistojnë disa ide të ndryshme se si shtete të caktuara anëtare ose grupe shtetesh anëtare, madje edhe Komisioni Evropian e shohin të ardhmen e politikës së zgjerimit. Por ajo që është e qartë është se të paktën në këtë moment, nuk ka konsensus për asnjë nga këto zgjidhje alternative”, shton ministri.

Duke komentuar qëndrimin e opozitës, Mucunski theksoi se bëhet fjalë për subjekt politik që ndryshoi emrin e shtetit, premtoi ndryshime kushtetuese shtesë dhe bëri lëshime të rëndësishme kombëtare me qëllim që të progresit drejt rrugës evropiane.

“Tetë vjet pas këtyre lëshimeve, tashmë po i afrohemi dhjetë vjetëve, vendi ende nuk ka filluar negociatat me Bashkimin Evropian. Prandaj, rezultati i politikës së tyre shihet më së miri përmes asaj që kanë bërë dhe asaj që kanë arritur”, ka thënë ai.

Mucunski shtoi se LSDM-ja si subjekt politik nuk ka absolutisht kredibilitet për të propozuar politika në fushën e politikës së jashtme.

“Ndoshta do të ishte më e kapshme të kërkojë falje për të gjitha gabimet në të kaluarën dhe t’i japë mbështetje të plotë Qeverisë e cila po përpiqet të kthejë disa nga pozicionet e dinjitetit kombëtar”, theksoi Mucunski.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button