ASH-Sela: Do ta ankimojmë vendimin e gjykatës! Taravari, shërbëtor i sistemi të kapur

Pas vendimit të Gjykatës së Tetovës që vulat e partisë- Aleanca për Shqiptarët, t’i takojnë Arben Taravarit, ka reaguar krahu i Selës. Ata thonë se do ta ankimojnë këtë vendim, duke shtuar se, ky vendim konfirmon se Taravari është shërbëtori I sistemit të kapur që punon kundër shqiptarëve dhe ASH-së.
Reagimi i plotë i ASH-Sela:
Vendimi i sotëm i sistemit gjyqsor vetëm se konfirmoi atë që ne kemi thënë vazhdimisht, që Arben Taravari është shërbetor i këtij sistemi të kapur që punon kundër shqiptarëve dhe kundër Aleancës për Shqiptarët. Ne zhvilluam një betejë gjyqsore të bindur në të drejtën tonë edhe statutare edhe ligjore, por gjithmonë të vetëdijshëm se po përballemi me një sistem dhe një shërbetor të rëndësishëm të këtij sistemi.
Si mund të shpjegohet ndryshe fakti që ky proces u stërzgjat për më shumë se dy vite, fakti që lënda u kthye dy herë radhazi dhe u trajtua tre herë në gjykatën themelore, një precedent që nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Si mund të shpjegohet ndryshe fakti që Gjykata e Tetovës del kundër vendimit të vetë që e solli dy herë radhazi paraprakisht dhe ky vendim ndryshohet pikërisht tani kur Arben Taravari sot nuk ka as gjysmën e anëtarëve dhe delegatëve që kishte në fillim të procesit. As atëherë nuk kishte shumicë, ndërsa sot nuk i ka ngelur as gjysma e asaj pakice që kishte atëherë.
Në moment të fundit u ndryshua gjykatësi në Gjykatën Themelore në Tetovë dhe nga shqiptar u vendos një maqedonas, e meqë kjo punë shkoj në dorë të një gjykatësi maqedonas, është e ditur se kënd e kanë ata në shërbim të tyre.
Të gjitha këto dëshmojnë se vendimi gjyqsor është politik, është atentat ndaj një partie politike shqiptare që për vite ishte faktor kryesor në skenën politike në vend dhe mbrojtës i fuqishëm i kauzës kombëtare shqiptare.
Tani do të pasojë edhe hapi i fundit i gjithë këtij skenari, ashtu siç paralajmëroi vasali i këtij sistemi, ribrendimi dhe zhdukja e emrit të shtrenjtë e të pastër ALEANCA PËR SHQIPTARËT. Ky ka qenë qëllimi që në ditën e parë të këtij skenari.
Por, ne nuk dorëzohemi! Aleanca për Shqiptarët janë aktivistët, anëtarët, luftëtarët e vërtetë të kauzës, ata që ruajnë idealin dhe misionin kombëtar që nga themelimi. Sot jemi edhe më të motivuar se kurrë më parë për të vazhduar betejën tonë, PËR SHQIPTARËT dhe ME SHQIPTARËT. Ne do ta ankimojmë në Gjykatën e Apelit këtë vendim dhe do të shfrytëzojmë çdo mundësi për të luftuar e për të ruajtuar shtëpinë tonë që u themelua dhe u ngrit me sakrificë, por edhe me gjak, me mund e me djersë, të thelemuesve dhe aktivistëve, të gjithë atyre shqiptarëve me të cilët ndajmë të njëjtat ideale.
– Aleanca për Shqiptarët –
Ziadin Sela, Kryetar



