Gjykata e Tetovës jep vendimin, Taravarin e njeh kryetar legjitim të ASH-së

Gjykata Themelore në Tetovë siç mësohet sot ka marrë një vendim duke e njohur Arben Taravarin për kryetar legjitim të Aleancës për Shqiptarët (ASH). Sipas këtij vendimi, vulat zyrtare të partisë i takojnë atij dhe grupit politik që ai udhëheq.
Ja njoftimi i plotë nga ASH:
Aleanca për Shqiptarët njofton opinionin publik se ka fituar procesin gjyqësor lidhur me çështjet statutare dhe përfaqësimin ligjor të partisë.
Me vendim të Gjykatës Themelore në Tetovë, është pranuar kërkesa e paraqitur nga Arben Taravari për regjistrimin e ndryshimeve në Statutin e partisë në Regjistrin Gjyqësor të partive politike.
Në bazë të këtij vendimi:
• Shfuqizohet Statuti i miratuar në Kongresin e III-të të Jashtëzakonshëm, i mbajtur më 24.12.2022;
• Regjistrohet Statuti i miratuar në Kongresin e II-të të Aleancës për Shqiptarët, i mbajtur më 27.03.2022, në përputhje me vendimin e Kongresit të IV-t të Jashtëzakonshëm, të mbajtur më 16.02.2024 në Shkup.
Njëkohësisht, gjykata ka refuzuar si të pabazuara kërkesat e paraqitura nga Ziadin Sela lidhur me ndryshimin e kryetarit të partisë dhe ndryshimet statutare.
Ky vendim përbën një konfirmim të qartë ligjor të legjitimitetit të udhëheqjes së Aleancës për Shqiptarët dhe të drejtës së saj për përfaqësim institucional.
Aleanca për Shqiptarët thekson se çdo grupacion që thirret në emër të saj, në kundërshtim me këtë vendim gjyqësor, do të përballet me pasojat përkatëse ligjore.
Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojë të veprojë në përputhje me ligjin dhe vullnetin e anëtarësisë, duke mbetur e përkushtuar ndaj reformave dhe përfaqësimit dinjitoz të qytetarëve”
Kontesti gjyqësor dhe partiak se kujt i takon ASH-ja po vijon tashmë dy vite pas ndarjes së Ziadin Selës dhe Arben Taravarit,, duke funksionuar si fraksione. (INA)



