Filipçe: Shilegov po punon për VMRO-në!

I pyetur për largimin e Petre Shilegov nga LSDM, kryetari i kësaj partie, Venko Filipçe deklaroi se Petre Shilegov punon për VMRO-në dhe për përçarje të brendshme në parti, përcjell TV21. Ai theksoi se uniteti i partisë është kyç për luftën kundër pushtetit dhe për ruajtjen e vlerave demokratike.
“Këtu nuk bëhet fjalë për një mendim tjetër apo ndryshe, pasi edhe ai mendim është dëgjuar. Këtu bëhet fjalë për një veprim të qëllimshëm në favor të VMRO-DPMNE-së dhe për një përçarje të brendshme të partisë. Pas gjitha verifikimeve tona të informatave, arritëm në atë përfundim. Këshilli Ekzekutiv e mori atë vendim me konsensus, askush nuk votoi kundër”, tha Filipçe.
“Me siguri i keni ato sondazhe, VMRO-DPMNE nuk ka pasur kurrë një rënie të tillë më parë, dhe ne kemi rritje, e vetmja gjë që mund të bëjnë është ta ndajnë partinë nga brenda dhe kështu të na shtypin në mënyrë që të mund të qeverisin ashtu siç duan. Ne nuk do ta lejojmë këtë. Një ndarje e tillë ndodhi në vitin 2021, 2024 me një fushatë nacionaliste dhe të rreme, në vitin 2025 vetë Shilegov tha se nuk ka punuar për LSDM-në”, tha Filipçe.



