Izraeli godet depo nafte në Teheran, zjarr i madh shpërthen në një depo nafte në lagjen Aghdasieh

Aeroplanët luftarakë izraelitë kanë goditur depo të magazinimit të naftës dhe objekte rafinerie në kryeqytetin iranian Teheran, ndërkohë është raportuar për një zjarr të madh që ka shpërthyer në depon e naftës në lagjen Aghdasieh të kryeqytetit, transmeton Anadolu.
Sulmet shënojnë herën e parë që Izraeli ka shënjestruar objekte të tilla që nga fillimi i sulmit më të gjerë kundër Iranit javën e kaluar së bashku me SHBA-në.
Sipas transmetuesit publik izraelit, ushtria izraelite tha se mbrëmë kishte nisur një valë të re sulmesh që synojnë infrastrukturën e Iranit në kryeqytet.
Transmetuesi publik izraelit KAN raportoi se Forcat Ajrore izraelite shënjestruan depozita të magazinimit të naftës dhe objekte rafinerie në Teheran.
Ndërkohë, agjencia gjysmëzyrtare iraniane Mehr News Agency raportoi se shpërthime u dëgjuan në Teheran pas sulmeve.
Në përgjigje të shënjestrimit të rafinerisë së Teheranit, sipas agjencisë Fars, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) tha se rafineria e Haifas në Izrael u godit nga raketa.
Tensionet rajonale janë përshkallëzuar që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën një sulm në shkallë të gjerë kundër Iranit më 28 shkurt, duke vrarë më shumë se 1.000 persona, përfshirë liderin suprem iranian Ali Khamenei, mbi 150 nxënëse dhe zyrtarë të lartë ushtarakë.
Irani është kundërpërgjigjur me breshëri të gjera sulmesh, duke shënjestruar baza amerikane, objekte diplomatike dhe personel ushtarak në të gjithë rajonin, si dhe disa qytete izraelite.



