Gashi për 8 Marsin: Gratë kanë rol të pazëvendësueshëm në shoqëri

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka njoftuar se është realizuar seancë solemne me rastin e 8 Marsit- Ditës Ndërkombëtare të Gruas.
“Kjo seancë ishte një mundësi e veçantë për reflektim mbi rrugëtimin e grave, rolin e tyre të merituar në shoqëri, si dhe mbi sakrificat e heshtura, betejat e fituara dhe ato që ende presin të fitohen.
Me këtë rast, urova dhe shpreha mirënjohjen time për të gjitha gratë, veçanërisht për koleget deputete dhe për gratë e vajzat që shërbejnë në administratën e Kuvendit, të cilat me përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre garantojnë çdo ditë funksionimin dinjitoz të këtij institucioni.
Gjithashtu theksova përkushtimin e Kuvendit për mbrojtjen dhe avancimin e statusit të grave, për emancipimin dhe përfaqësimin e tyre, duke kujtuar njëkohësisht se ende ekzistojnë sfida që kërkojnë përgjegjësi dhe angazhim të përbashkët.
Pas seancës solemne, në një atmosferë mirënjohjeje dhe respekti, patëm kënaqësinë të vazhdojmë bashkëbisedimin në mënyrë joformale”, ka shkruar Gashi.

