Sali në takimin me Begajn: Shqiptarët në RMV përfaqësohen denjësisht, thellojmë bashkëpunimin me Shqipërinë

Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, ka zhvilluar një takim me Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, ku në fokus të bisedimeve ishte situata aktuale politike në vend dhe bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve.

Sali bëri të ditur se gjatë takimit është diskutuar për forcimin e marrëdhënieve institucionale dhe kombëtare mes dy vendeve.

“Në takimin me Presidentin Bajram Begaj diskutuam mbi situatën aktuale politike në vend, ku shkëmbyem mendime edhe për thellimin e bashkëpunimit institucional ndërmjet dy vendeve tona, si dhe në planin kombëtar mes popujve tanë”, theksoi Sali.

Ai vuri në pah edhe rolin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke nënvizuar përfaqësimin dhe kontributin e tyre në institucionet shtetërore.

“Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut po përfaqësohen në mënyrën më të mirë, duke luajtur një rol aktiv dhe konstruktiv në institucionet shtetërore, duke kontribuar në vendimmarrje dhe në proceset kyçe që lidhen me stabilitetin, zhvillimin demokratik dhe perspektivën europiane të vendit”, deklaroi ai.

Sali shtoi se Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Shqipërisë, përveçse vende fqinje dhe miqësore, ndajnë edhe aspirata të përbashkëta në rrugën drejt integrimit europian.

“Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Shqipërisë, përveçse janë shtetet miqësore fqinje, janë edhe dy vende që kanë aspirata të përbashkëta në rrugën europiane”, përfundoi Sali.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button