ONM-ja: Më shumë se 7.600 migrantë humbën jetën ose u zhdukën në 2025

Të paktën 7.667 migrantë vdiqën ose u zhdukën në rrugët e migracionit në mbarë botën gjatë vitit 2025, duke theksuar shkallën globale të krizës që përballen njerëzit në lëvizje, njoftoi agjencia e migracionit e OKB-së në raportin e saj më të fundit.
“Humbja e vazhdueshme e jetëve në rrugët e migracionit është një dështim global që nuk mund ta pranojmë si normal”, tha Drejtoresha e Përgjithshme e Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (ONM), Amy Pope, në raportin e publikuar të enjten. “Këto vdekje nuk janë të pashmangshme.”
Megjithëse kjo shifër është më e ulët se rreth 9.200 viktma të regjistruara në vitin 2024, rënia reflekton më pak përpjekje në rrugë të rrezikshme, veçanërisht në Amerikë, si dhe mungesa të dhënash për shkak të qasjes së kufizuar dhe kufizimeve financiare, tha agjencia.
ONM-ja kërkon shkatërrimin e rrjeteve të trafikimit, zgjerimin e rrugëve të sigurta të migracionit dhe forcimin e operacioneve të kërkim-shpëtimit për të parandaluar humbje të mëtejshme jete.
Kalimet detare mbetën ndër rrugët më të rrezikshme, me të paktën 2.185 vdekje ose zhdukje në Mesdhe gjatë vitit 2025. Rreth 1.214 persona vdiqën në rrugën Atlantike drejt Ishujve Kanarie në Spanjë. Agjencia thekson se shifra reale është ndoshta më e lartë, pasi shumë anije të fundosura nuk janë verifikuar.
Agjencia gjithashtu raportoi një fillim shqetësues të vitit 2026, me 606 vdekje të migrantëve në Mesdhe deri më 24 shkurt, edhe pse mbërritjet në Itali janë ulur ndjeshëm.
Në Azi, u regjistruan mbi 3.000 vdekje migrantësh, duke shënuar vitin më vdekjeprurës në rajon për të tretin vit radhazi, kryesisht për shkak të afganëve që largohen nga konfliktet.
Rruta Lindore gjithashtu tregoi një rritje të ndjeshme, me 922 vdekje të regjistruara, krahasuar me 558 në 2024. Gati të gjithë ata që vdiqën në këtë rrugë në 2025 ishin etiopianë, sipas ONM-së.



