Mbyllet shtegu i Matkës për shkak të rrezikut nga rrëshqitja e shkëmbinjve

Komuna e Sarajit ka njoftuar zyrtarisht se lëvizja në shtegun e Matkës ndalohet plotësisht për shkak të rrezikut serioz nga shembja e shkëmbinjve.
Komuna informon banorët, turistët vendas dhe të huaj, si dhe të gjitha shoqatat që planifikojnë aktivitete në këtë zonë, se në bazë të vendimit të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (57-2071-1, datë 19.02.2026), lëvizja në shtegun e Matkës paraqet rrezik për shkak të mundësisë së rrëshqitjes së gurëve.
Gjithashtu, bëhet e ditur se Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim ka vendosur tabela paralajmëruese që sinjalizojnë rrezikun nga rrëzimi i gurëve në zonat e rrezikshme.
Ndalimi hyn në fuqi menjëherë dhe do të zgjasë deri në një njoftim të radhës.
“I lusim të gjithë qytetarët dhe vizitorët ta respektojnë vendimin për sigurinë e tyre. Në të kundërtën, në rast aksidenti për shkak të mosrespektimit të rregullave, përgjegjësia mbetet tek i dëmtuari”, thuhet në njoftimin e Komunës së Sarajit, të publikuar nga Skopje1.mk.



