Hungaria i kërkon Ukrainës të rihapë tubacionin e naftës “Druzhba”

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, i bëri thirrje të enjten Ukrainës të respektojë interesat energjetike të Hungarisë dhe kërkoi rihapjen e tubacionit të naftës Druzhba, i cili është bllokuar pjesërisht pas një sulmi të kohëve të fundit, transmeton Anadolu.

Në një letër të hapur drejtuar Presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, Orban tha: “Ju bëj thirrje që të rihapni menjëherë tubacionin e naftës Miqësia dhe të përmbaheni nga çdo sulm i mëtejshëm ndaj sigurisë energjetike të Hungarisë. Më shumë respekt për Hungarinë!”.

Tubacioni “Druzhba”, i quajtur edhe Tubacioni i Miqësisë, është një nga rrjetet më të gjata dhe më të mëdha të tubacioneve të naftës në botë. Duke vepruar që nga viti 1964, ai transporton naftë bruto ruse në disa vende të Evropës Qendrore dhe Lindore, përfshirë Hungarinë dhe Sllovakinë.

Orban akuzoi Kievin se po përpiqet ta tërheqë Hungarinë në konfliktin Ukrainë-Rusi, ndërsa merr mbështetje nga Bashkimi Evropian gjatë katër viteve të fundit.

“Në ditët e fundit, ju keni bllokuar tubacionin e naftës Miqësia, i cili është kritik për furnizimin me energji të Hungarisë. Veprimet tuaja janë kundër interesave të Hungarisë dhe rrezikojnë furnizimin e sigurt dhe të përballueshëm me energji të familjeve hungareze. Prandaj, ju bëj thirrje të ndryshoni politikën tuaj anti-hungareze!” shkroi Orban në letrën e tij.

Ukraina tha se dërgesat e naftës përmes tubacionit u ndërprenë pas një sulmi më 27 janar. Zyrtarët hungarezë dhe sllovakë e kanë akuzuar Kievin për bllokimin e qëllimshëm të rinisjes së tubacionit për të fituar ndikim politik kundër Rusisë, megjithëse Kievi nuk e ka konfirmuar këtë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button