Komuna e Çairit: Asfalt i ri dhe përmirësim i infrastrukturës në rrugën “Metodija Mitevski”

Komuna e Çairit ka përfunduar asfaltimin e plotë të rrugës “Metodija Mitevski”, pas realizimit paraprak të rregullimit dhe standardizimit të trotuareve, në kuadër të një ndërhyrjeje infrastrukturore që synon përmirësimin e ndjeshëm të kushteve të qarkullimit dhe sigurisë.
Sipas njoftimit zyrtar, projekti përfshin edhe vendosjen e ndriçimit publik, si fazë përmbyllëse e investimit në këtë segment rrugor.
“Në rrugën ‘Metodija Mitevski’ është realizuar asfaltimi i plotë, pas përfundimit të rregullimit dhe standardizimit të trotuareve, duke përmirësuar ndjeshëm kushtet e qarkullimit dhe sigurinë për këmbësorët dhe drejtuesit e automjeteve”, thuhet në njoftimin e Komunës së Çairit.
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, theksoi se investimet në infrastrukturë mbeten prioritet i pushtetit lokal.
“Investimet në infrastrukturë mbeten prioritet, me fokus në rritjen e standardeve urbane dhe përmirësimin e cilësisë së jetesës për qytetarët”, citohet të ketë deklaruar Mexhiti.
Nga Komuna bëhet e ditur se punimet do të vazhdojnë edhe në rrugë të tjera të parapara në kuadër të këtij projekti, me synim zhvillimin e qëndrueshëm dhe modernizimin e hapësirave publike në territorin e Çairit.



