Gjykata Supreme në SHBA rrëzon Trumpin për tarifat, Presidenti: Vendim i turpshëm

Gjykata Supreme e SHBA-së ka vendosur të premten të rrëzojë tarifat gjithëpërfshirëse të presidentit Donald Trump, duke i dhënë një goditje të fortë një prej pretendimeve më të debatueshme të tij mbi fuqinë ekzekutive dhe duke hapur një kapitull të ri me pasoja të mëdha për ekonominë globale.

Në një vendim 6-3, të hartuar nga kryetari konservator i Gjykatës, John Roberts, gjyqtarët lanë në fuqi vendimin e një gjykate më të ulët, e cila kishte konstatuar se përdorimi nga presidenti republikan i një ligji të vitit 1977  i destinuar për raste emergjencash kombëtare kishte tejkaluar kompetencat e tij kushtetuese.

Tre gjyqtaret liberale Ketanji Brown Jackson, Elena Kagan dhe Sonia Sotomayor iu bashkuan tre gjyqtarëve konservatorë Amy Coney Barrett, Neil Gorsuch dhe Roberts për të rrëzuar tarifat.

Duke cituar një precedent të mëparshëm të Gjykatës Supreme, Roberts shkroi se “presidenti duhet të tregojë autorizim të qartë nga Kongresi për të justifikuar pretendimin e tij të jashtëzakonshëm për fuqinë për të vendosur tarifa”, duke shtuar prerazi: “Ai nuk mundet.”

Sipas mediave amerikane, Trump e cilësoi vendimin si “të turpshëm”.

Tarifat doganore mbi mallrat e importuara kanë qenë një instrument kyç i politikës ekonomike dhe të jashtme të Trump. Ato u bënë qendrore në luftën tregtare globale që ai nisi pas fillimit të mandatit të tij të dytë, duke tensionuar marrëdhëniet me partnerët tregtarë, ndikuar tregjet financiare dhe shtuar pasigurinë në ekonominë botërore.

Vendimi i Gjykatës Supreme erdhi pas një sfide ligjore të paraqitur nga biznese të prekura nga tarifat, si edhe nga 12 shtete amerikane shumica e tyre të drejtuara nga demokratë që kundërshtuan përdorimin e paprecedentë të ligjit për emergjencat kombëtare për të vendosur në mënyrë të njëanshme taksa mbi importet.

Sipas projeksioneve, tarifat e Trump pritej të gjeneronin triliona dollarë të ardhura për Shtetet e Bashkuara gjatë dekadës së ardhshme. Çështja para Gjykatës Supreme përfshinte tre padi të veçanta, të cilat u bashkuan për qëllime të argumenteve verbale.

Në prag të vendimit, presidenti amerikan kishte paralajmëruar se kishte një “plan B” në rast se gjykata do t’i rrëzonte tarifat, duke lënë të hapur mundësinë e një përballjeje të re ligjore apo politike mbi kompetencat presidenciale në fushën e tregtisë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button