Evidentohet se profesori Sadi Bexheti nuk dha mësim në UP, Senati i heq titullin Emeritus

Sadi Bexheti edhe pse e kishte bartur titullin Profesor Emeritus nga viti 2023, një raport i Fakultetit të Mjekësisë evidenton se nuk ligjëroi, por megjithatë u pagua. Profesori arsyetohet se studentët nuk e kishin zgjedhur lëndën.

Tri vjet më parë, Sadi Bexheti në moshë të pensionimit e kishte fituar titullin e nderit Profesor Emeritus në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, ndërsa mund të mos e gëzojë më, pasi Senati i UP-së e ka shfuqizuar vendimin që i jep këtë titull.

Profesori Bexheti ka thënë për KALLXO.com se e ka pranuar vendimin e Senatit të UP-së më 14.01.2026 në lidhje me këtë çështje dhe se do të ankohet në Komisionin për ankesa dhe parashtresa të Senatit e pas përgjigjes së tyre do ta dorëzojë lëndën në Gjykatë.

Titulli Profesor Emeritus iu hoq pasi rektori Arben Hajrullahu në mbledhjen e Senatit të UP-së, më 17.12.2025, deklaroi se Bexheti nuk i ka përmbushur obligimet kontraktuale të lidhura me UP-në pasi e kishte fituar titullin.

Hajrullahu u bazua në një raport të Fakultetit të Mjekësisë për angazhimin e Bexhetit dhe gjatë mbledhjes së Senatit tha se: “Aty ka një fjalë interesant se thotë- s’ka mbajtë mësim, po ka bërë kontribut në mësimdhënie”.

“Do ta hedhim në votim anulimin e vendimit të këtij Senati. Senati vendos, Senati e ka kompetencën m’i anulu vendimet e veta, për shkak të mospërmbushjes të asnjë detyre kontraktuale që ka rrjedhë në bazë të vendimit të këtij Senati” – kishte deklaruar Hajrullahu më 17.12.2025 dhe senatorët e votuan anulimin e vendimit që i jepte titullin Bexhetit, ndërsa pati 3 vota kundër dhe 4 abstenime.

Bexheti arsyetohet se lënda që i ishte caktuar “Teknikat imazherike në hulumtimet shkencore” ishte lëndë zgjedhore në programin e Doktoratës në Mjekësi Paraklinike.

“Nuk kam mbajtur orë pasi e kam fituar titullin Emeritus sepse lënda që më është caktuar është lëndë zgjedhore në doktoratë dhe ajo varet nëse e zgjedhin studentët apo jo”- është përgjigjur Bexheti, më 08.01.2026.

Raportin e detajuar për kontributin e profesorit Bexheti në Fakultetin e Mjekësisë që ia kanë dorëzuar rektorit, e ka siguruar KALLXO.com dhe mbulon periudhën 10.01.2023 – 14.09.2025.

Në raport konfirmohet se lënda që ishte planifikuar ta ligjëronte Bexheti në programin e Doktoratës në Mjekësi Paraklinike, nuk ishte zgjedhur nga studentët e doktoratës për vitin akademik 2024/2025.

“Dhe nuk është dorëzuar raport për orët e realizuara të ligjërimit për periudhën e kërkuar [10.01.2023 – 14.09.2025]”- thuhet në raportin e Fakultetit të Mjekësisë.

“[Sadi Bexheti] Ka pasur bashkëpunim profesional dhe shkencor, por nuk ka evidencë konkrete për ligjërime të mbajtura. Nuk ekzistojnë raporte për orë mësimore të realizuara, për çka kërkohet sqarim nga bartësi i programit dhe nga profesori”- kanë shtuar në raport nga Fakulteti.

Sa i kushtoi UP-së Profesori Emeritus?

Sadi Bexheti ishte pensionuar më 01.11.2022, ndërsa pas dy javësh në atë kohë Luljeta Plakolli- Kasumi, ish-ushtruesja e detyrës së rektorit të UP-së, më 17.11.2022, kishte marrë vendim që profesorit 65-vjeçar t’ia vazhdonte kontratën e punës deri më 30.09.2023.

Vazhdimi i kontratës së Bexhetit ishte bazuar në vendimin e Qeverisë së Kosovës nr. 03/13 të datës 27.03.2008, në të cilin thuhet: “Punonjësve të personelit akademik në Universitetin e Prishtinës që kanë mbushur moshën 65-vjeçare, pasi të ketë filluar viti shkollor, iu vazhdohet kontrata e punës deri në përfundimin e vitit akademik”.

Kështu, në vendimin e UP-së bëhet e ditur se Bexhetit i takon paga mujore e mësimdhënësit deri më 30.09.2023.

Detyrë e Senatit të UP-së është dhënia e titullit Profesor Emeritus, të cilin Bexhetit ia dha më 30.01.2023, pra gjatë kohës sa ai veçse kishte kontratë të punës të vazhduar edhe për 8 muaj.

Për shkak se kishte fituar titullin Emeritus, Bexheti kishte lidhur një kontratë të re të punës më 11.03.2024, e cila është e nënshkruar nga ish-rektori Qerim Qerimi dhe ka afat të pacaktuar.

Në këtë kontratë të Bexhetit thuhet se profesori universitar me fitimin e titullit Profesor Emeritus përfiton shtesë të posaçme mujore në vlerë prej 20% të pagës bazë të profesorit të rregullt universitar. Si dhe, i përcakton fondin e orëve të anagazhimit për semestër prej 6 orë ligjërata në javë.

“Pagesa bëhet mbi bazën e orëve të mbajtura, deri në fondin e orëve për ligjërata, të përcaktuar me këtë kontratë dhe sipas Rregullores për të ardhurat personale në fuqi”- thuhet në kontratën e Bexhetit me UP-në të datës 11.03.2024.

Sipas Rregullores për të ardhurat e personelit akademik në UP të datës 12.10.2023, paga bazë e profesorit të rregullt ishte 1,302 euro, që do të thotë se Bexhetit i kishin takuar 260.40 euro.

“Sa i përket pagesës, ajo pagë që unë kam marrë ka qenë shtesë mujore 270 euro, që më ka takuar për shkak të titullit e jo duke u bazuar në orë”- ka thënë Bexheti për KALLXO.com.

Rregullorja për të ardhurat e personelit akademik në UP e datës 12.10.2023

Kurse, sipas Rregullores së re për të ardhurat e personelit akademik në UP të datës 03.06.2025, paga bazë e profesorit të rregullt nga muaji janar 2025 ishte 1,419 euro dhe nga 20% i kësaj shume, Bexheti ka përfituar 283.8 euro, në bazë të kontratës.

Në bazë të kësaj Rregulloreje të re, paga bazë e profesorit të rregullt nga muaji korrik 2025 është 1,474 euro dhe nga 20% i saj, Bexheti ka përfituar 294.80 euro.

Rregullorja për të ardhurat e personelit akademik në UP e datës 03.06.2025

Në raportin e Fakultetit të Mjekësisë thuhet se gjatë periudhës raportuese (10.01.2023 – 14.09.2025), Profesori Emeritus Sadi Bexheti është paguar me 20% të pagës bazë të profesorit të rregullt.

“Në korrik 2025 është vërejtur një ndryshim i gabuar i koeficientit nga ana e Ministrisë së Administratës Publike, paga është ekzekutuar 346.26 euro në vend se 294.80 euro. Për këtë është kërkuar korrigjimi dhe zbritja e shumës së paguar gabimisht”- shkruan në raportin e Fakultetit.

Rektori Hajrullahu gjatë mbledhjes së Senatit, më 17.12.2025, tregoi se Bexheti ka marrë një shumë simbolike nga UP, meqë është paguar në bazë të kontratës.

“Profesori në fjalë ka një kontratë me UP, e cila është pa afat. Gjitha normat në fuqi thonë se deri 70 vjet. Ai e bën me fjalë tjera, m’i thanë është Emeritus Marshall, për jetë. Nën dy, profesori në fjalë i shkelë me të dy këmbët obligimet kontraktuale që i ka. Edhe nën 3, nuk i përmbushë detyrat. Edhe nën 4, mundem me vazhdu sa i përket çështjeve financiare, profesori në fjalë ia kërkoj me një afat kohor m’i kthy paratë që është mbipagu. Nuk i kthen paratë, e çoj në Gjykatë”- ka thënë Hajrullahu.

Hajrullahu ia kishte dërguar senatorëve një përshkrim të çështjes, në të cilin ndër të tjera kishte shkruar “meqë Prof. Sadi Bexheti rezulton se nuk ka mbajtur mësim asnjëherë pas pensionimit e edhe gjatë mbajtjes së titullit Profesor Emeritus, atëherë të gjitha pagesat nga data 01.11.2022 e deri më sot konsiderohen të paarsyetuara”.

Tutje, Bexheti e ka interpretuar ndryshe kontratën e marsit 2024, duke thënë për KALLXO.com se nëse do t’i mbante 6 orë në javë, do të paguhej në bazë të fondit të orëve.

“Që nënkupton pagë të plotë + shtesa mujore prej 20%. Titulli nuk më obligon të mbaj mësim, mirëpo më mundëson të mbaj mësim deri në moshën 70 vjeçare. Nëse studentët e zgjedhin ose jo lëndën, është evidente në SEMS [Sistemin e Menaxhimit Elektronik të Studentëve] dhe rrjedhimisht nuk kam obligim që t’i përcjell menaxhmentit ndonjë informacion, por ata janë të obliguar të më informojnë për orarin ose nëse studentët e përzgjedhin lëndën time”- është shprehur Bexheti.

Por, UP e ka konfirmuar për KALLXO.com se Profesori Emeritus kompensohet me një shtesë mujore prej 20% të pagës bazë të profesorit të rregullt deri në moshën 70-vjeçare.

“Gjatë kësaj periudhe, i njëjti mban mësim ose angazhohet në punë shkencore, sipas kërkesave të njësisë akademike në të cilën e ka fituar titullin Emeritus, si dhe përgjegjësi të tjera që rrjedhin nga kontrata individuale”- ka thënë Safet Thaçi, ushtrues detyre i sekretarit të përgjithshëm të UP-së, më 12.01.2026.

Sefedin Muçaj, dekan në Fakultetin e Mjekësisë, në mbledhjen e Senatit të UP-së, më 17.12.2025, ka insistuar të shpjegojë se periudha më 01.11.2022, prej kur ishte pensionuar Bexheti, deri më 30.09.2023, ka dëshmi që i ka orët e mbajtura.

Profesori Bexheti ka ndarë me KALLXO.com disa raporte ku shkruan emri i tij dhe shkruan lënda ‘Anatomia’. E për të cilat thotë se dëshmojnë se kishte mbajtur mësim.

Këto raporte datojnë në nëntor 2022, dhjetor 2022 dhe pesë muajt e parë të vitit 2023, në të cilat ka nënshkrime nga Bexheti dhe shefja e katedrës së Anatomisë në atë kohë, por nuk janë të nënshkruara nga zyrtari i mësimit.

Kur është pyetur se pse nuk janë të nënshkruara edhe nga zyrtari për mësim, Bexheti ka thënë se janë kopjet që i ka ruajtur para se të dërgohen te zyrtari për mësim, sepse sipas tij, në momentin që dërgohen te zyrtari për mësim, ato nënshkruhen dhe mbesin në arkivë.

Megjithatë këto raporte nuk janë për lëndën e programit të doktoratës që i ishte caktuar Bexhetit ta ligjëronte me titullin Profesor Emeritus.

“Me anë të këtyre raporteve, dëshmohet që janë mbajtur 147 orë gjatë periudhës 01.11.2022-30.09.2023, ku qershor dhe shtator janë mbajtur provimet me studentë të dëshmuara me SEMS dhe konsultimet e parapara. Janë edhe listat e studentëve së bashku me raportet”- ka shpjeguar Bexheti më 08.01.2026.

Dekani Muçaj i pyetur nga KALLXO.com për këto raporte në të cilat mbështetet Bexheti, ka thënë se gjatë përpilimit të raportit për rektorin kanë marrë parasysh vetëm evidenca zyrtare të programit të doktoratës.

“Sa i përket materialeve të paraqitura për pesë muajt e parë të vitit 2023, ato paraqesin dokumentacion administrativ mbi angazhimin. Për këtë angazhim kanë qenë të njoftuar dekanët dhe anëtarët e Senatit”- ka thënë Muçaj më 18.02.2026, pasi ka theksuar se nuk ka dokumentim të ligjërimit nga Bexheti në cilësinë e Profesorit Emeritus në programin e doktoratës.

Rruga deri te titulli ‘Emeritus

Ashtu siç kërkohet me Statut të Universitetit, caktimi i titullit Profesor Emeritus ndodh pasi atë e propozon Këshilli i Fakultetit dhe përkrahet nga dy fakultete tjera.

Në rastin e Sadi Bexhetit, Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë më 04.01.2023 kishte propozuar që t’i vendoset titulli, ndërsa paraprakisht e kishin përkrahur dy fakultetet – Fakulteti Ekonomik më 28.12.2022 e një ditë më pas, Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit.

Pasi i kishte trajtuar kërkesat e fakulteteve, Senati i UP-së kishte konstatuar se Bexheti dallohet nga arritjet e veçanta akademike dhe shkencore gjatë periudhës së aktivitetit të tij dhe kualifikimet e tij konsiderohen të pazëvendësueshme për një periudhë afatmesme nga ana e njësisë akademike.

“Prof. dr. Sadi Bexheti shquhet për kontributin e tij në ndërkombëtarizimin e Fakultetit të Mjekësisë, në veçanti dhe Universitetit të Prishtinës në përgjithësi. Prof. dr. Sadi Bexheti shquhet edhe për kontributin e tij në avancimin e relacioneve ndërinstitucionale dhe ndërkolegiale dhe për krijimin e kushteve pozitive për Fakultetin e Mjekësisë dhe UP-së”- thuhet në vendimin e Senatit, më 30.01.2023

Sipas paragrafit 3 të nenit 167 të Statutit të ri të UP-së, Profesori Emeritus ka të drejtën të jap mësim dhe të merret me punë shkencore në pajtim me kualifikimet e tij dhe kërkesat e njësisë së veçantë akademike deri në moshën 70 vjeçare, derisa titulli formal është i përhershëm.

Statuti i ri i UP-së

Në Statutin e vjetër të UP-së, kjo dispozitë ishte caktuar në paragrafin 3 të nenit 181, por nuk kishte qenë e caktuar se titulli i Profesorit Emeritus është i përhershëm.

Statuti i vjetër i UP-së

Nga të dy Statutet thuhet se të drejtat dhe përgjegjësit e Profesorit Emeritus caktohen me kontratë individuale të lidhur nga rektori me propozimin e dekanit të njësisë së veçantë akademike.

Në anën tjetër, në komunikatën e UP-së të publikuar për mbledhjen e Senatit të mbajtur më 17.12.2025, nuk ishte përmendur emri i profesorit Bexheti por vetëm është njoftuar: Senatorët anuluan një vendim të mëhershëm në lidhje me një titull për një profesor emeritus të UP-së, për mospërmbushje të obligimeve.

Rektori Arben Hajrullahu ka theksuar në mbledhjen e Senatit më 17.12.2025 se “Ideja edhe shpresa ime është që do të kemi sa më shumë profesorë Emeritus, të cilët do të zgjedhen”.

Nga data 08.01.2026 KALLXO.com e ka pyetur Universitetin e Prishtinës nëse ka profesorë tjerë me titull Emeritus, por ende nuk kanë bërë të ditur nëse ka.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button