Spanja nis hetim ndaj X, Meta dhe TikTok për përmbajtje abuzimi seksual të fëmijëve të bëra me IA

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ka bërë të ditur se qeveria e tij do të hetojë kompanitë e platformave sociale X, Meta dhe TikTok lidhur me materiale të abuzimit seksual të fëmijëve të gjeneruara nga inteligjenca artificiale, me qëllim për të mbrojtur “shëndetin mendor, dinjitetin dhe të drejtat” e fëmijëve.

Sanchez në rrjetin social X njoftoi se qeveria do t’u kërkojë prokurorëve të hetojnë kompanitë e rrjeteve sociale për të përcaktuar nëse kanë kryer vepra penale duke lejuar që sistemet e tyre të inteligjencës artificiale të gjenerojnë dhe shpërndajnë materiale të abuzimit seksual të fëmijëve.

“Këto platforma po sulmojnë shëndetin mendor, dinjitetin dhe të drejtat e djemve dhe vajzave tona. Shteti nuk mund ta lejojë këtë. Pandëshkueshmëria e gjigantëve duhet të marrë fund”, tha Sanchez.

Kjo vjen pasi Sanchez këtë muaj njoftoi hapa të rinj për rregullimin e platformave të rrjeteve sociale dhe forcimin e mbrojtjes për të miturit, duke deklaruar se hapësirat digjitale kanë mundësuar veprimtari kriminale, dezinformim dhe përmbajtje të dëmshme.

Më herët, ai i ka përshkruar rrjetet sociale se janë shndërruar “në një lloj Perëndimi të Egër në një shtet të dështuar”.

Muajin e kaluar, Komisioni Evropian nisi një hetim ndaj kompanisë X të Elon Muskit dhe chatbot-it të tij Grok për sistemet e rekomandimit sipas Aktit për Shërbimet Digjitale (DSA), për shkak të imazheve me përmbajtje të seksualizuar.

Pas një sërë hetimesh nga vende evropiane, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën, autoritetet irlandeze të martën njoftuan se kanë hapur një hetim të ri për mbrojtjen e të dhënave ndaj Grok-ut lidhur me imazhe të rreme të seksualizuara. /TRT Balkan/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button