SHBA konfirmon mbështetjen e palëkundur për Kosovën në 18-vjetorin e Pavarësisë

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar mesazhin e urimit të sekretarit amerikan të shtetit, Marco Rubio, me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, duke rikonfirmuar mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara për shtetin e Kosovës.
Në mesazhin e tij, Rubio thekson se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të palëkundura në mbështetjen për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.
“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ju shpreh urimet e mia popullit të Republikës së Kosovës me rastin e Ditës së Pavarësisë. SHBA mbetet e palëkundur në mbështetjen për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës”, thuhet në deklaratë.
Sekretari amerikan nënvizon gjithashtu pritshmëritë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, me synim rritjen e mirëqenies së të dy kombeve, si dhe vlerëson mbështetjen e Kosovës ndaj përpjekjeve amerikane në adresimin e sfidave globale.
Në përmbyllje të mesazhit, SHBA riafirmon qëndrimin e saj në krah të Kosovës, duke theksuar angazhimin për një partneritet edhe më të fortë në vitet që vijnë dhe për ndërtimin e një të ardhmeje të sigurt dhe të begatë për qytetarët e saj.



