Vërshime dhe dëme të shumta edhe në disa fshatra të Tetovës – Në Poroj lumi ka dalë nga shtrati

Uji i dalë nga shtrati i lumit të Porojit në Tetovë sërish vërshoi fushat dhe një pjesë të shtëpive në Trebosh e Pallaticë.

Vërshimet prishën dhe një pjesë të rrugës që është duke u punuar e që lidh Tetovën me Jazhincën. Banorët ankohen se kjo ndodh nga mbyllja e kanaleve ku rrjedh uji gjatë ndërtimeve të rrugës.
“Këtu është faktori njeri problem, se çdo projekt që bëhet duhet shikuar kushtet natyrore, duhet shikojnë ku do shkoj uji. Që prej tre vitesh më rrinë ara në ujë. Në fillim duhet rregulluar shtrati i lumit pastaj projekti të bëhet. Këtu ka pasur një gyp kanali ka ecur, e mbyllën krejt ka dy vjet toka më rrinë kështu dhe s’mund ta mbjelli,” tha një banor.

“Nuk e kanë rregulluar një herë ujin ku do shkoj pastaj të bëhet rruga. Edhe tokat na vërshohen edhe rruga u prish edhe shtëpitë me ujë në Trebosh atje. Këtu rruga nuk e ka pasur vendin, por më tutje ku e ka pas vendin e tij uji por nuk janë marrë masa assesi,” tha një tjetër banor.

“Nuk e dimë ku të ankohemi, kudo që ankohemi s’marrin masa askush, ja shiheni çka është bë çka tu them. Asnjëherë s’janë kompensua dëmet asnjëherë erdhën një herë ministra njerëz por asgjë s`kanë paguar, u shpreh një banor.

Në terren ka dalë edhe një ekip nga komuna e Tetovës. Kreu i Komunës Kasami ka premtuar nxjerrje në terren të të gjitha ekipeve, me qëllim sanimin e dëmeve nga vërshimet.

“Ka pasur rrënime dheu dhe vërshime. Makineria e komunës dhe ndërmarrjet private kanë dalë në terren dhe janë duke pastruar pikat kritike. Me punimet që do realizohen dhe sigurisht me pjesën e pastrimit të kanaleve të lumenjve, në të ardhmen besoj që këto probleme më nuk do paraqiten,” deklaroi Bilall Kasami. Kryetar i komunës së Tetovës.

Reshjet e mbrëmshme të shiut, kanë dëmtuar edhe disa oborre në lagjen 146, ndërsa ka pasur edhe rrëshqitje të tokës në disa vende në Tetovë. /alsat.mk

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button