Zv/kryeministri i parë Bekim Sali takon ushtruesen e detyrës ambasadore të SHBA-së, riafirmohet partneriteti strategjik

Zv.kryeministri i parë zhvilloi një takim me ushtruesen e detyrës ambasadore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nicole Varnes, ku në fokus ishte bashkëpunimi bilateral dhe orientimi strategjik i vendit drejt partneritetit me SHBA-në.
Sipas statusit të publikuar nga Sali, aleanca me SHBA-në mbetet një element kyç për zhvillimin demokratik dhe stabilitetin institucional.
“Aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet një nga shtyllat kryesore të orientimit tonë strategjik dhe të zhvillimit demokratik të vendit”, ka theksuar ai.
Gjatë takimit, palët riafirmuan bashkëpunimin dhe partneritetin strategjik ndërmjet dy vendeve, duke nënvizuar rëndësinë e vlerave të përbashkëta.
“Bashkëpunimi me SHBA-në bazohet në vlera të përbashkëta, demokracinë, sundimin e ligjit dhe stabilitetin rajonal”, thuhet në deklaratën e zv.kryeministrit.
Takimi vjen në kuadër të angazhimeve të vazhdueshme për forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe mbështetjen e proceseve reformuese në vend.



