Komuna e Çairit prezanton Planin Aksional për personat me nevoja të veçanta, theksohet bashkëpunimi me shoqatat

Në Komunën e Çairit është mbajtur një takim pune me drejtues dhe përfaqësues të shoqatave që veprojnë në fushën e mbështetjes për personat me nevoja të veçanta, me synim forcimin e bashkëpunimit institucional dhe avancimin e politikave përfshirëse në nivel lokal.
Gjatë takimit u prezantua Plani Aksional i Komunës së Çairit për periudhën 2026–2029, i hartuar dhe strukturuar nga Qamuran Ismaili. Sipas komunikatës, dokumenti u shoqërua me diskutim konstruktiv dhe propozime konkrete nga pjesëmarrësit, ndërsa u theksua se plani do të plotësohet dhe zgjerohet me sugjerimet e shoqatave për të adresuar sa më efektivisht nevojat reale të kësaj kategorie.
Kryetari i Këshillit Komunal, Muhamed Murtezi, riafirmoi angazhimin e institucioneve lokale për një qasje më gjithëpërfshirëse. “Komuna mbetet e përkushtuar për mbështetje të vazhdueshme dhe për thellimin e qasjes përfshirëse në nivel lokal”, thuhet në qëndrimin e tij.
Takimi u vlerësua si një hap drejt koordinimit më të madh ndërmjet autoriteteve lokale dhe organizatave të shoqërisë civile, me qëllim zhvillimin e politikave më efektive për personat me nevoja të veçanta.



