Ceferin: Të lumtur që Reali dhe Barcelona u rikthyen në familjen tonë!

Përfundimi zyrtar i projektit të Superligës, pas marrëveshjes në parim mes Real Madridit dhe UEFA-s të komunikuar një ditë më parë, ishte një nga temat kryesore të Kongresit të 50-të të UEFA-s.
Në fjalën hapëse, presidenti Aleksander Ceferin u rikthye te kjo çështje, duke theksuar rikthimin e unitetit në futbollin evropian. “Jam i lumtur që Real Madridi dhe Barcelona rikthehen në familjen tonë. E vërteta është se të gjithë ishim të lodhur.
Të jetë e qartë: kurrë nuk e kemi humbur respektin e ndërsjellë me Florentino Perez dhe as dashurinë për futbollin, edhe pse kemi pasur mosmarrëveshje. Fituesi i vetëm është futbolli.
Falënderoj edhe Nasser Al Khelaifi, sepse lidershipi i tij ka qenë thelbësor për të qenë sërish të bashkuar”, u shpreh Ceferin.
Ceferin mbrojti gjithashtu formatin e ri të Champions League dhe kompeticioneve të tjera evropiane, duke iu përgjigjur kritikëve:
“Shumë kishin dyshime, na paralajmëruan dhe të zakonshmit thoshin se do të dështonim.
Por sot garat janë më të mira dhe më konkurruese. Nuk ka qenë rastësi: modeli është zhvilluar me përgjegjësi. Janë rritur audiencat, të ardhurat dhe niveli i konkurrencës.
Këtë sezon, gati 450 milionë euro do t’u shpërndahen klubeve jashtë kompeticioneve evropiane”.



