Prokuroria e BeH-së hap hetim për “Sarajevo Safari”

Në Departamentin e Posaçëm për Krime Lufte të Prokurorisë së Bosnjë e Hercegovinës është hapur një lëndë për rastin “snajperistë të fundjavës” gjatë rrethimit të Sarajevës, ka konfirmuar ky institucion për Radion Evropa e Lirë më 10 shkurt.
Sipas Prokurorisë, me urdhër të prokurorit janë ndërmarrë veprime konkrete hetimore. Në fund të vitit të kaluar, Prokuroria e Bosnjë e Hercegovinës i ka dërguar një kërkesë zyrtare autoriteteve italiane dhe ka kontaktuar Mekanizmin Rezidual Ndërkombëtar për Gjykatat Penale në Hagë, me qëllim të verifikimit të informatave.
Hetimet u nxitën pasi mediat italiane, në fillim të nëntorit 2025, raportuan se Prokuroria e Milanos kishte hapur një hetim mbi bazën e kallëzimit të shkrimtarit dhe gazetarit Ezio Gavazzeni. Ai pretendon se gjatë luftës në Bosnje, individë të huaj paguanin për të ardhur në pozicionet e Ushtrisë së Republikës Sërpska dhe për të qëlluar civilët e Sarajevës me snajper.
Gavazzeni ka paralajmëruar gjithashtu botimin e një libri mbi “safari snajperësh”, duke u frymëzuar nga dokumentari “Sarajevo Safari” i autorit slloven Miran Zhupaniq.



