“MË GJEJ” – Mbi 70 të mitur u raportuan të zhdukur në tre vitet e fundit

Zhdukja e të miturës nga Shkupi, Vanja Gjorçevska dhe Pançe Zhezhovskit nga Velesi, e solli në plan të parë çështjen e mungesës së sistemit të organizuar të alarmit për personat e zhdukur dhe i vuri në provë kapacitetet e institucioneve të vendit. Pasi qytetarët u trazuan nga informacionet për zhdukjen që u shpërndanë masivisht në rrjetet sociale, si vajza, ashtu edhe 74-vjeçari nga Velesi u gjetën të vdekur. Dy javë më vonë, Maqedonia mori zyrtarisht faqen e parë të paralajmërimit të hershëm të personave të zhdukur. Faqja e internetit “Më gjej”, e cila është e disponueshme në gjuhët maqedonase, shqipe dhe rome, është lansuar në fund të vitit 2023, me iniciativë të shoqërisë civile, por me mbështetjen e institucioneve.
Natasha Dokovska, drejtoreshë programore e shoqatës Gazetarët për të Drejtat e Njeriut tha se për të gjetur informacione për personat e zhdukur në këtë faqe interneti, është e nevojshme krijimi i një profili të personit, pasi zhdukja e tij është denoncuar tashmë në polici. “Ideja fillestare ishte që ky projekt të mbulonte vetëm fëmijët e zhdukur, por tani vlen për të gjithë ata që janë zhdukur, pavarësisht moshës. Nuk mund të publikojmë informacione pa u konfirmuar nga MPB-ja dhe në këtë drejtim kemi nënshkruar një memorandum bashkëpunimi. Me të jemi të obliguar të publikojmë vetëm informacione që janë konfirmuar dhe për të cilat MPB-ja do të na japë ‘dritën jeshile’”, tha Dokovska.
Ajo sqaron se sapo informacioni të arrijë tek ata, rasti do të shtrihet menjëherë tek të gjithë aktorët socialë për të lehtësuar kërkimin.
Ndërkaq pritet që kjo faqe interneti padyshim të plotësojë kapacitetet e institucioneve vendore, të cilat pajtohen se kjo mënyrë është një hap drejt një sigurie më të madhe. “Ne po punojmë në vazhdimësi për futjen e këtij sistemi dhe duhet të kalohen të gjitha hapat që të zbatohet plotësisht. Natyrisht, ajo që është bërë deri më tani është prezantuar dhe ne vazhdojmë të punojmë intensivisht për ta finalizuar”, thotë zëdhënësi i MPB-së Toni Angelovski, sipas statistikave të të cilit në tre vitet e fundit janë 74 të mitur që u raportuan të zhdukur, dhe nga 66 prej tyre u gjetën.
Nga ana tjetër nga ky vit, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) po angazhohet më intensivisht në kërkimin e fëmijëve të zhdukur, ka bërë të ditur ministri përgjegjës, Jeton Shaqiri. Ai informoi se nga ky semestër, ditari i ri elektronik do të ketë risi që do t’u mundësojë prindërve që menjëherë të kenë një pasqyrë nëse fëmija i tyre ka arritur në shkollë atë ditë dhe nëse është futur në e-ditar. “Të gjithë kalojnë përmes sistemit arsimor dhe ai luan një rol kyç në zbulimin e hershëm të fëmijëve të zhdukur. Mësuesit dhe stafi i shkollës janë shpesh të parët që vërejnë kur një fëmijë mungon ose zbulojnë kur ai është në rrezik, i cili manifestohet përmes sjelljes, pamjes së tij, etj. Nga ana tjetër, pikërisht në shkolla dhe nëpërmjet aktiviteteve mësimore dhe jashtëshkollore, fëmijët njihen me rreziqet e mundshme që fshihen. Kështu do të vazhdojë të jetë. Përmbajtja edukative lidhur me këtë temë ndoshta do të bëhet gjithnjë e më e përhapur”, ka thënë Shaqiri.
Ndër të tjera ministri ka paralajmëruar përkushtim më të madh për përmirësimin e sigurisë së nxënësve jo vetëm brenda objekteve shkollore por edhe jashtë tyre së bashku me institucionet tjera kompetente si MPB, por edhe pushtetin vendor, vetë shkollat dhe organizatat partnere. (koha.mk)