BE përgatitet për hakmarrje ndaj SHBA-së nëse realizohen kërcënimet e Trumpit

Bashkimi Evropian është duke vazhduar konsultimet e brendshme për mënyrën se si do të përgjigjet në rast se presidenti amerikan Donald Trump i realizon kërcënimet për të vendosur tarifa shtesë ndaj tetë vendeve evropiane, të cilat sipas vlerësimit të tij, e kundërshtojnë marrjen në pronësinë amerikane të Grenlandës e cila është pjesë formale e Danimarkës.
Konsultimet janë duke u zhvilluar mes vendeve anëtare të BE-së ndërsa një samit i jashtëzakonshëm i liderëve të BE-së do të zhvillohet të enjten në Bruksel. Në të gjitha këto konsultime, thonë në BE, synimi është që të arrihet një pajtim për përgjigje të përbashkët ndaj veprimeve të partnerëve amerikanë.
Nëse SHBA-të nisin tarifat ndëshkuese ndaj disa vendeve evropiane për shkak të kundërshtimit të qëllimeve për të marrë në pronësi Grenlandën, atëherë BE-ja thotë se ka në dispozicion masat hakmarrëse tregtare për të goditur SHBA-në dhe do t’i përdorë ato nëse do të jetë e domosdoshme për të mbrojtur interesat ekonomike të BE-së dhe vendeve anëtare.
“Kemi në dispozicion mjetet dhe jemi të gatshëm t’i përdorim ato në mëyrë që të mbrojmë interesat tona ekonomike. Por ne duam të jemi të përgjegjshëm dhe të preferojmë përmbajtje dhe të kërkojmë zgjidhje përmes bisedimeve me partnerët amerikanë” ka thënë ky zëdhënës i BE-së.
Në BE thonë se janë në kontakte të vazhdueshme edhe me përfaqësuesit e administratës amerikane në secilin nivel përfshirë edhe atë politik. Një mundësi për takime direkte të disa liderëve evropianë do të jetë forumi ekonomik botëror në Davos të Zvicrës i cili zhvillohet këtë javë. Në atë forum do të jetë i pranishëm edhe presidenti amerikan Donald Trump dhe shumë liderë evropianë po ashtu.
Shumë liderë evropianë e kanë kritikuar kërcënimin amerikan duke e quajtur të papranueshëm dhe të rrezikshëm për aleancën transatlantike.
Masat amerikane dhe kundër-masat evropiane, do të kenë një efekt shkatërrues për shumë qytetarë në të dyja anët e atlantikut prandaj në BE preferojnë që ky konflikt të evitohet. BE thotë se ka masa në dispozicion për hakmarrje ndaj SHBA-ve në vlerë prej 93 miliardë euro.



