Paqëndrueshmëria globale në tregun e energjisë vazhdon

Trazirat në Venezuelë, e cila është një nga vendet më të pasura me rezerva nafte, si dhe përplasjet e fundit lidhur me Grenlandën, e pasur me burime minerale, mund të kenë ndikim në tregtinë globale të energjisë dhe në marrëdhëniet ekonomike e politike ndërkombëtare.
Kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë, Marko Bislimovski tha për Alsat se këto zhvillime për momentin nuk do të kenë ndikim në vendin tonë. Ai thekson se të premten ka pasur rënie në bursat e çmimit të naftës, i cili ka qenë nën 60 dollarë, ndërsa gjatë tre ditëve të fundit ka shënuar rritje dhe tani është 62,5 dollarë.
“Ajo që shohim ne, duke qenë se përcaktojmë çmim për secilin derivat veç e veç, si për benzinat ashtu edhe për dizelin, në parim çmimet janë stabile, kështu që në këtë moment nuk presim të ketë ndonjë ndikim. Do të shohim se çfarë do të ndodhë gjatë ditëve në vijim, por nafta e papërpunuar, fakt është se luhatet diku rreth ±5%, ndërsa çmimi i secilit derivat veçmas, duke pasur parasysh bursën mesdhetare në Gjenovë, nga e cila ne si vend, ashtu edhe të gjitha vendet e tjera të rajonit i marrin të dhënat, për momentin është stabil”, tha Marko Bislimovski – kryetar i Komisionit Rregullator për Energjetikë
Bislimovski thekson se rritjen aktuale të çmimit të naftës në bursë, ne vend do ta ndiejmë javën e ardhshme.
“Çfarë ndodh, le të themi, këtë javë, do të reflektohet javën e ardhshme, prandaj javën e ardhshme nuk pres të ketë ndonjë ndryshim serioz. Pra, me një vonesë prej një jave, pasi metodologjia jonë është e tillë që çmimet i përcaktojmë në bazë të periudhës paraprake pesëditore”, u shpreh Marko Bislimovski – kryetar i Komisionit Rregullator për Energjetikë
Hulumtimet e Radios Evropa e Lirë dhe mediave të tjera tregojnë se SHBA-të po paralajmërojnë mundësinë e rritjes së prodhimit të naftës venezuelase nën ndikimin e tyre, gjë që mund të rezultojë me një ofertë më të madhe të naftës në tregun botëror dhe potencialisht me çmime më të ulëta. Me këtë, zvogëlohet drejtpërdrejt varësia nga nafta ruse dhe dobësohet pozita e Rusisë brenda OPEK+. Rusia, e cila mbështetet ndjeshëm në të ardhurat nga çmimet e larta të naftës për të ruajtur ndikimin e saj ekonomik dhe gjeopolitik, mund të përballet me paqëndrueshmëri më të madhe ekonomike dhe strategjike./ Alsat.mk



