Përkujtohen vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka

Liderët shtetërorë kanë bërë homazhe në nderim të Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, të vrarë 44 vjet më parë më 17 janar.

Presidentja Vjosa Osmani e ka cilësuar 17 janarin si ditë e humbjeve të shumëfishta por edhe ditë krenarie për kombin shqiptar, teksa ka kujtuar edhe vrasjen e Smajl Hajdarajt më 2002 dhe vdekjen e Gjergj Kastriotit.

“17 janari është një prej ditëve më të kobshme për kombin tonë, për popullin tonë. Është dita kur u vranë mizorisht Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Njëkohësisht, është edhe dita kur u vra Smajl Hajdaraj. Po ashtu, është dita kur humbëm heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Një ditë e humbjeve të shumëfishta, por njëkohësisht edhe një ditë krenarie për kombin tonë”, ka thënë ajo.

Në homazhe ishin edhe kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Kurti tha se sot bëjnë nderime, duke kujtuar se si, edhe para suprimimit të autonomisë, gjatë gjithë kohës ka pasur patriotë të jashtëzakonshëm, veprimtarë të paepur, të cilët u flijuan duke sakrifikuar gjithçka për shtetin dhe lirinë, të cilën e gëzojmë sot.

“Edhe para luftës, shqiptarët nën Jugosllavi e Serbi nuk kishin paqe dhe për këtë janë dëshmi edhe demonstratat e shumta të organizuara, por gjithashtu edhe ish-të burgosurit e të persekutuarit politikë”, u shpreh ai.

Pak metra pasi dolën nga garazhi i shtëpisë ku po banonin në Heilbronn të Gjermanisë, në një atentat të përgatitur nga UDB-ja jugosllave, u vranë atdhetarët shqiptarë: Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Sipas fqinjëve, 2 persona kishin shtënë mbi veturën BMË dhe kishin ikur nga vendi i ngjarjes. Policia gjermane raportoi se 12 plumba të kalibrit 7,65 mm ishin shtënë mbi tre burrat, porse asnjëherë nuk u zbuluan atentatorët.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button