Gati 50 ushtarë venezuelianë të vrarë në rrëmbimin e Presidentit Maduro nga SHBA-ja

Nëntë ushtare femra ishin mes 47 trupave venezueliane të vrara më herët këtë muaj, kur Shtetet e Bashkuara sulmuan kryeqytetin Karakas dhe rrëmbyen Presidentin Nicolás Maduro, deklaroi ministri i Mbrojtjes së Venezuelës, Vladimir Padrino López.

Duke rishikuar në rritje numrin e forcave të vrara nga raportimi fillestar prej 23 viktimash, ministri i Mbrojtjes tha të premten se gjithsej 83 persona u vranë gjatë bastisjes së 3 janarit nga forcat amerikane.

Mes të vrarëve ishin edhe 32 ushtarë kubanë, disa prej të cilëve ishin caktuar në ekipin e mbrojtjes personale të Presidentit Maduro.

“Çfarë kanë bërë burrat dhe gratë e Forcave tona të Armatosura Kombëtare Bolivariane përballë agresionit ushtarak? Ata kanë dhënë jetën, kanë nderuar historinë dhe atdheun,” tha Padrino gjatë një ceremonie për nder të të rënëve në sulm.

Ministri njoftoi gjithashtu se do të përcaktohet një vend për ndërtimin e një memoriali kushtuar viktimave.

Kuba të enjten pranoi eshtrat e 32 ushtarëve që, sipas autoriteteve kubane, u vranë në luftime në orët e para të 3 janarit.

Më shumë se 112 persona u raportuan të plagosur gjatë bastisjes amerikane, e cila nisi me bombardimin e objektivave ushtarake dhe përfundoi me zbarkimin e trupave amerikane me helikopterë dhe rrëmbimin e Madurës dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores, nga rezidenca e tyre në Karakas.

Shkalla e plotë e viktimave civile nga sulmi amerikan ende nuk është përcaktuar nga autoritetet venezueliane. Ministri i Brendshëm, Diosdado Cabello, deklaroi më herët këtë javë se ekspertëve u nevojitet testimi i ADN-së për identifikimin e viktimave.

Presidentja e përkohshme, Delcy Rodríguez, e cila ka shpallur shtatë ditë zie për të vrarët nga sulmi amerikan, u takua të enjten në Karakas me drejtorin e CIA-s, John Ratcliffe, agjencia e të cilit luajti një rol kyç në rrëmbimin e Madurës, raporton agjencia Associated Press.

Një zyrtar amerikan i tha AP-së se Ratcliffe diskutoi bashkëpunimin e mundshëm ekonomik mes dy vendeve dhe paralajmëroi se Venezuela nuk duhet të lejojë më kurrë praninë e kundërshtarëve të SHBA-së, përfshirë trafikantët e drogës, në territorin e saj.

‘Perandori i Shtëpisë së Bardhë’

Dhjetëra mijëra kubanë demonstruan të premten para ambasadës amerikane në Havanë për të dënuar vrasjen e 32 ushtarëve kubanë në sulmin në Venezuelë.

Turmat u mblodhën në sheshin e hapur anti-imperialist “José Martí”, përballë kompleksit diplomatik amerikan, në një tubim të organizuar nga qeveria kubane.

“SHBA-ja drejtohet nga një president që e konsideron veten perandor,” tha René González, 64 vjeç, një nga protestuesit.

“Duhet t’i tregojmë se idetë vlejnë më shumë se armët,” shtoi ai.

Presidenti kuban Miguel Díaz-Canel përshëndeti protestuesit përpara se të mbante një fjalim, në të cilin tha se Uashingtoni kishte “hapur derën e një epoke barbarie, plaçkitjeje dhe neo-fashizmi”.

“Askush këtu nuk dorëzohet,” tha Díaz-Canel. “Perandori aktual i Shtëpisë së Bardhë dhe sekretari i tij famëkeq i shtetit nuk kanë reshtur së më kërcënuari.”

“Kuba nuk ka pse të bëjë asnjë lëshim politik dhe kjo nuk do të jetë kurrë në tryezën e negociatave për të arritur një mirëkuptim mes Kubës dhe Shteteve të Bashkuara,” tha ai.

“Është e rëndësishme që ta kuptojnë këtë. Ne do të jemi gjithmonë të hapur për dialog dhe përmirësim të marrëdhënieve mes dy vendeve tona, por vetëm në kushte të barabarta dhe mbi bazën e respektit të ndërsjellë,” shtoi ai.

Presidenti amerikan Donald Trump së fundmi kërkoi që Kuba të arrijë një marrëveshje me të përpara se të jetë “tepër vonë”, pa sqaruar se çfarë lloj marrëveshjeje apo çfarë do të ndodhte pas afatit të tij.

Trump gjithashtu tha se Kuba nuk do të jetojë më nga rezervat e naftës së Venezuelës, të cilat presidenti amerikan ka deklaruar vazhdimisht se tani i përkasin SHBA-së.

Havana varet shumë nga nafta venezueliane dhe ekspertët paralajmërojnë se, nëse furnizimet ndërpriten, kjo mund të ketë pasoja katastrofike për Kubën, e cila tashmë përballet me ndërprerje të rënda të energjisë dhe vite të tëra sanksionesh të vendosura nga SHBA-ja.

Demonstrata e së premtes në Havanë u organizua një ditë pasi dhjetëra mijëra kubanë u mblodhën në selinë e Ministrisë së Forcave të Armatosura në kryeqytet për t’u dhënë nderimet 32 oficerëve të vrarë, ndërsa trupat e tyre mbërritën nga Venezuela. /Al Jazeera/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button