Trajneri i Samsunsporit: Favoritë në letër, por Shkëndija duhet marrë seriozisht

Skuadra turke e futbollit Samsunspor do të përballet me Shkëndijën e Tetovës në raundin e “play-off”-it të Ligës së Konferencës së UEFA-s, ndërsa klubi nga Turqia vlerëson se përballja duhet trajtuar me seriozitet maksimal.
Drejtori sportiv i Samsunsporit, Fuat Çapa deklaroi për Anadolu se shorti ishte i favorshëm për ekipin e tij, duke theksuar se afërsia gjeografike dhe kushtet klimatike janë një avantazh krahasuar me alternativat e tjera. Megjithatë, ai nënvizoi se Shkëndija ka arritur deri në këtë fazë mes 24 skuadrave më të mira të garës dhe se nuk duhet nënvlerësuar.
Ai tha se edhe pse në letër duken favoritë për nga buxheti dhe profili i lojtarëve, “ndeshjet nuk fitohen në letër”.
“Për këtë arsye, kundërshtarin tonë duhet ta marrim seriozisht. Gjithmonë është avantazh të luash ndeshjen e parë në transfertë. Synimi ynë është të fitojmë ndeshjen e parë dhe të sigurojmë kualifikimin në shtëpi”, u shpreh Çapa.
Ndryshe, sot në Nyon të Zvicrës u hodh shorti për fazën e “play-off”-it të Ligës së Konferencës, duke përcaktuar çiftet që do të luftojnë për një vend në fazën tjetër të garës.
Përveç përballjes mes Samsunsporit dhe Shkëndijës, shorti përcaktoi edhe kundërshtarin e Dritës së Gjilanit, e cila do të përballet me skuadrën sllovene Celje.



