Mesazh uniteti nga kryeparlamentari Afrim Gashi

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka bërë të ditur se në Kuvend është mbajtur një pritje miqësore me Presidenten, deputetët dhe përfaqësuesit e Qeverisë, me rastin e festave të fundvitit.
“Në një pritje miqësore u mblodhëm në Kuvend me Presidenten, deputetët dhe përfaqësuesit e qeverisë”, ka deklaruar Gashi, duke theksuar rëndësinë e komunikimit dhe bashkëpunimit institucional.

Ai nënvizoi se në një atmosferë të ngrohtë i ka inkurajuar të pranishmit për më shumë dialog, respekt dhe mirëkuptim të ndërsjellë, duke e cilësuar Kuvendin si “agorën tonë të përbashkët, vendin ku mblidhemi për të debatuar, për të dëgjuar njëri-tjetrin dhe për të gjetur zgjidhje konstruktive”.

Në këtë frymë, kryeparlamentari përcolli edhe urimet për festat e fundvitit. “Për festat e fundvitit, urova shëndet, begati dhe dashuri për ta dhe familjet e tyre, ndërsa për vendin tonë unitet, respekt dhe paqe”, tha Gashi.

