Libia shpall tri ditë zie pas vdekjes së ushtarakëve në aksidentin ajror pranë Ankarasë

Libia shpalli të martën tri ditë zie kombëtare pas vdekjes së shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, Mohammed al-Haddad, dhe katër zyrtarëve të tjerë të lartë ushtarakë në një aksident ajror pranë kryeqytetit turk, Ankarasë.
Në një deklaratë, Qeveria e Unitetit Kombëtar u shprehu ngushëllime familjeve të viktimave dhe kolegëve të tyre në Forcat e Armatosura Libiane.
Gjatë periudhës triditore të zisë, të gjitha institucionet shtetërore do t’i ulin flamujt në gjysmë shtize, ndërsa ceremonitë dhe festimet zyrtare do të pezullohen.
“Qeveria e Unitetit Kombëtar shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe solidaritetin më të thellë për familjet e të ndjerëve dhe kolegët e tyre në forcat e armatosura, duke iu lutur Zotit të Plotfuqishëm t’i mbulojë me mëshirën e Tij, t’u japë prehje të përjetshme në xhenetet e Tij të gjera dhe t’u dhurojë familjeve dhe të afërmve durim dhe ngushëllim,” thuhet në deklaratë.
Kryeministri libian Abdul Hamid Dbeibeh ka urdhëruar Ministrinë e Mbrojtjes që të dërgojë një delegacion zyrtar në Ankara për koordinim të drejtpërdrejtë me autoritetet turke dhe për shqyrtimin e rrethanave të aksidentit, shtohet më tej.
Tragjedia përkon me shënimin e planifikuar të Ditës së Pavarësisë së Libisë më 24 dhe 25 dhjetor, me të cilën shënohen 74 vjet nga çlirimi i vendit nga pushtimi italian. Këtë vit, kjo ditë do të shënohet nën hijen e zisë kombëtare.
Edhe kryetari i Këshillit Presidencial të Libisë, Mohamed Menfi, shprehu keqardhje për vdekjen e Al-Haddadit dhe katër zyrtarëve të tjerë të lartë ushtarakë.
Më herët, ministri i Brendshëm i Türkiyes, Ali Yerlikaya, njoftoi se mbetjet e avionit Falcon 50, i cili po fluturonte drejt Tripolit dhe po transportonte Al-Haddadin, u gjetën në jug të zonës Haymana, pranë Ankarasë. /TRT Balkan/



