Raportet e Ismail Qemalit me Austro-Hungarinë gjatë nëntorit 1912

Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, më 28 dhe 29 nëntor 1912, Ismail Qemali, në cilësinë e kryetarit të Qeverisë së Përkohshme, u dërgoi nga një telegram qeverive të Fuqive të Mëdha, atyre të shteteve ballkanike dhe Portës së Lartë, të cilat i njoftonte për realitetin e ri të krijuar në Ballkan dhe njëkohësisht kërkonte prej tyre njohjen e këtij ndryshimi në hartën politike të Europës Juglindore.
Fehari RAMADANI, Tetovë
Nga fundi i shek. XIX dhe fillimi i atij XX, interesimi i Austro-Hungarisë për çështjen shqiptare rritej gjithnjë e më shumë. Në dallim nga fuqitë tjera të mëdha të kohës, të cilat kishin kolonitë e tyre jashtë Europës, Perandoria e Dyfishtë politikën e saj të jashtme e orientoi drejt Ballkanit. Nga të gjithë popujt që jetonin në hapësirën ballkanike, vetëm shqiptarët nuk kishin mbështetjen e ndonjërës fuqi europiane. Për rrjedhojë, qeveria e Vjenës i shihte territoret shqiptare si të vetmen mundësi për ta shtrirë ndikimin e saj. Gjithashtu, territoret bregdetare shqiptare kishin edhe një rëndësi tjetër për Vjenën. Ajo ishte e interesuar që këto territore të mos binin nën ndikimin e ndonjë fuqie tjetër të madhe ose të ndonjërit shtet ballkanik. Meqenëse bregdeti perëndimor i Adriatikut kontrollohej nga Italia dhe nëse edhe bregdeti lindor (shqiptar) futej nën ndikimin e ndonjë fuqie tjetër, qoftë drejtpërdrejt, qoftë nëpërmjet ndonjë shteti satelit (Serbi, Greqi apo Mal i Zi), atëherë mund të ndodhte që në të ardhmen Adriatiku, që përbënte të vetmen rrugë lidhëse me detin botëror, të shndërrohej në det të mbyllur për Austro-Hungarinë. Gjithë kjo binte ndesh me interesat politike dhe ekonomike të Vjenës. Prandaj, Ministria e Punëve të Jashtme e saj i vuri vetes për detyrë që ta përkrahte Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe kur Perandoria Osmane të dëbohej nga Ballkani, shqiptarët ta formonin shtetin e tyre, mundësisht të orientuar pro Vjenës.
Interesimi i Vjenës për çështjen shqiptare përputhej me interesat e Lëvizjes Kombëtare. Kjo e fundit kishte nevojë të siguronte mbështetjen e të paktën njërës fuqi të madhe të kohës. Drejtuesit e Lëvizjes Kombëtare e kishin kuptuar se asnjëri nga popujt e Gadishullit Ballkanik nuk kishte arritur ta siguronte pavarësinë kombëtare pa mbështetje të jashtme. Prandaj, ishte e domosdoshme që ata të siguronin përkrahjen e ndonjërës fuqi të kohës. Për rrjedhojë, interesat e shqiptarëve përputheshin me ato të Vjenës dhe aleanca midis tyre ishte e natyrshme.
Duke kuptuar interesat e Vjenës për territoret shqiptare, drejtuesit e Lëvizjes Kombëtare shpresonin se ndihma e jashtme do të vinte në radhë të parë nga Austro-Hungaria. Kjo është edhe arsyeja që kontaktet më të shumta, sidomos në tre-katër vitet para shpalljes së pavarësisë, Ismail Qemali dhe atdhetarë të tjerë i patën me përfaqësuesit zyrtarë të Perandorisë së Dyfishtë në kryeqytete të ndryshme të Ballkanit dhe të Europës. Gjatë viteve 1909, 1910 dhe 1911, ata zhvilluan disa herë bisedime me përfaqësues të autorizuar të Vjenës, në të cilat shtruan haptazi çështjen e shkëputjes së Shqipërisë nga Perandoria Osmane dhe u përpoqën të ndikojnë për një angazhim më të madh e më të qartë të Austro-Hungarisë në favor të pavarësisë shqiptare.
Fillimi i Luftës së Parë Ballkanike, në tetor 1912, i rriti shqetësimet në Vjenë, në lidhje me të ardhmen e Shqipërisë. Sipas një protokolli të një konference të mbajtur nga fundi i tetorit 1912, në Ministrinë e Punëve të Jashtme në kryeqytetin austro-hungarez, ishte arritur në konstatimin se Austro-Hungaria kishte “interesa vitale” që të mos lejonte vendosjen e një shteti të madh ose të vogël në brigjet lindore të Adriatikut dhe të detit Jon. Për të penguar pushtimin e bregdetit shqiptar, përveç mjeteve diplomatike, u shqyrtua edhe mundësia e një ndërhyrje ushtarake. Sipas pjesëmarrësve të konferencës, duke pasur parasysh gjendjen e re që ishte krijuar në Ballkan, pas sulmit aleat mbi Perandorinë Osmane, quhej “e dëshirueshme” që Shqipëria të bëhej “autonome apo krejt më vete pasi të zhdukej sovraniteti” osman. Në lidhje me territorin që do të përfshinte shteti i ri, sipas pjesëmarrësve të konferencës, do të ishte në interesin e Monarkisë që “sa të jetë e mundur të përmbledh në gji të vet të gjithë shqiptarët që banojnë në tokat turke të Europës dhe të ketë kufi të natyrshme”. Do të ishte në interes të Austro-Hungarisë, që ky shtet të shtrihej sa “të jetë e mundur në anën lindore”, megjithëse ishin të vetëdijshëm se kjo ishte e vështirë të realizohej, duke pasur parasysh pushtimet që kishin kryer Aleatët Ballkanikë dhe mbështetjen që ata gëzonin te disa Fuqi të Mëdha. Duke marrë parasysh situatën e krijuar, u konstatua se për të krijuar një “Shqipëri e cila mund të jetojë”, ishte e nevojshme që brenda saj të përfshiheshin territoret deri në lumin Kallama. Greqisë do t’i jepeshin territoret në jug të atij lumi dhe e shumta edhe Janina me rrethinën e saj, ndërsa Shqipërisë do t’i jepeshin edhe territoret perëndimore të vilajetit të Manastirit, Korça deri në vargmalet në lindje të atij qyteti, qyteti i Manastirit dhe territoret midis liqenit të Ohrit dhe të Prespës, si dhe pjesa më e madhe e prefekturës së Dibrës. Nga territoret e Vilajetit të Kosovës duhej të përfshiheshin në Shqipërinë autonome, të paktën “territoret thjeshtë shqiptare të prefekturës së Prizrenit dhe të Pejës”, kurse sa i përkiste Vilajetit “thjesht shqiptar të Shkodrës”, duhej të pengoheshin sa të ishte e mundur synimet pushtuese të Malit të Zi. Pra, Malësia, qyteti i Shkodrës dhe fusha e saj duhej t’i mbeteshin Shqipërisë. Zgjidhja më e mirë do të ishte Shqipëria autonome nën një “mbrojtje ndërkombëtare”, pasi kjo do të neutralizonte synimet e fqinjëve. Parapëlqehej që fuqitë mbrojtëse të kishin kompetenca vetëm në sigurimin e integritetit, por të mos përziheshin në punët e brendshme të Shqipërisë.
Në fund të tetorit 1912, Berchtoldi i kërkoi ambasadorit të tij në Berlin, Szögyeny-t, që të siguronte mbështetjen e Gjermanisë për mbrojtjen e interesave vitale të Austro-Hungarisë, të cilat, sipas tij, ishin të lidhura ngushtë me një “zhvillim të lirë të Shqipërisë”. Ministri austro-hungarez i Punëve të Jashtme interesohej vetëm për Shqipërinë. Ai nuk shprehej kundër ndryshimeve territoriale në Ballkan, përderisa Shqipëria nuk do të prekej prej tyre dhe për sa kohë asnjë shtet nuk do të pushtonte territore në bregdetin lindor të Adriatikut.
Pushtimet e kryera nga shtetet ballkanike në Shqipëri i bindën udhëheqësit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare se e vetmja rrugë e shpëtimit të popullit shqiptar ishte shpallja e pavarësisë së plotë, pasi Perandoria Osmane nuk kishte gjasa të mbante çfarëdo pushteti në pjesën europiane. Prandaj, ata i vazhduan përpjekjet e tyre për të siguruar përkrahje të jashtme, për realizimin e këtij synimi. Në radhë të parë mbështetja për një veprim të tillë do të kërkohej nga Austro-Hungaria. Në fund të tetorit 1912, Ismail Qemali, bashkë me disa atdhetarë të tjerë si: Luigj Gurakuqi, Kristo Meksi, Dhimitër Berati etj., u nis nga Stambolli për në Bukuresht, ku ndodhej kolonia më e madhe shqiptare e asaj kohe. Atje u takua me të dërguarin austro-hungarez në kryeqytetin rumun, princin K. E. Fyrstenberg (Fürstenberg), nga i cili kërkoi që t’i raportonte Ministrisë së Punëve të Jashtme që ajo ta mbështeste në ndërmarrjen e tij. Vjena e ftoi menjëherë për bisedime. Para nisjes për në kryeqytetin austro-hungarez, ai i deklaroi një gazetari italian se nuk shihte ndonjë zgjidhje të problemit shqiptar, përveçse një ndërhyrjeje austro-hungareze. Në atë kohë, Ismail Qemali besonte se Austro-Hungaria ishte e vetmja fuqi mbrojtëse e Shqipërisë.
Në nëntor 1912, Ismail Qemali, shkoi në Vjenë për të biseduar me kabinetin austro-hungarez, në lidhje me rrethanat e reja të krijuara në Ballkan, në të cilat shpallja e autonomisë në suaza të Perandorisë Osmane ishte e pamundur. Në Austro-Hungari, ai zhvilloi bisedime të niveleve të ndryshme me përfaqësues të disa fuqive, e veçanërisht me diplomatë austro-hungarezë. Pas sigurimeve të marra në Vjenë, më 9 nëntor ai dërgoi një telegram në Vlorë, në të cilin thuhej; “E ardhmja e Shqipërisë është siguruar… ruani qetësiën. I epni rretheve lajmin e gëzueshme…”. Në bisedat e zhvilluara me diplomatët austro-hungarezë, udhëheqësi shqiptar theksoi se bashkëkombësit e tij dëshironin pavarësinë e Shqipërisë, pasi kjo ishte rruga e vetme për vendosjen e qetësisë në Gadishullin Ballkanik. Rappaporti, i cili më 1912 ishte referent për të gjitha çështjet shqiptare pranë qeverisë austro-hungareze, deklaroi se qeveria e tij gjithmonë kishte “ushqyer simpatinë për zhvillimin nacional të popullit shqiptar” dhe se dëshironte që shqiptarët të dilnin nga “ngatërresat ballkanike si një trup kompakt”. Udhëheqësi shqiptar zhvilloi një bisedë të drejtpërdrejt me ministrin e Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë, Berchtoldin. Në “Kujtimet” e tij, ai shkruan se kur arriti nga Bukureshti në Vjenë, mori një telegram nga një “mik personal” i tij në Budapest, i cili e ftonte të shkonte në atë qytet për t’u takuar me një “personalitet të lartë”. Në Budapest ai u takua me kontin Hadik, ish-nënsekretar shteti. Pikërisht Hadiku i tha se personaliteti që donte të bisedonte me të ishte vetë Berchtoldi. Ismail Qemali u takua me ministrin e Jashtëm po atë mbrëmje në shtëpinë e Hadikut. Lidhur me përmbajtjen e bisedës, Ismail Qemali ka shkruar se Berchtoldi i kishte “aprovuar pikëpamjet (e tij – shënimi im) mbi çështjen kombëtare”. Pas këtij takimi, ministri austro-hungarez i Punëve të Jashtme ia plotësoi Ismail Qemalit kërkesën për t’i vënë në dispozicion një anije që do ta nxirrte fshehurazi atë dhe bashkëpunëtorët e tij në Durrës, pasi bregdeti shqiptar ishte bllokuar nga flota greke.
Një ditë para se të nisej për në Shqipëri, më 18 nëntor, Ismail Qemali i dërgoi një telegram komisionit përgatitor për shpalljen e pavarësisë. Në telegram, ndër të tjera, ai shkruante: “Përpara të premtes jemi në Durrës. Është e domosdoshme që delegatët të mblidhen në Durrës ose në Vlorë… Çështja jonë politike është siguruar përfundimisht”.
Më 19 nëntor Ismail Qemali u nis nga Trieste për në atdhe. Para nisjes, ai i deklaroi shtypit se “me të mbërritur në vend do të shpallej pavarësia e Shqipërisë dhe do të formohej Qeveria e Përkohshme”. Po atë ditë, Berchtoldi i drejtoi një telegram nënkonsullit të tij në Durrës, Rudney, me të cilin e porosiste që të “tregohej i afrueshëm” me Ismail Qemalin dhe udhëheqësit e tjerë shqiptarë dhe t’u jepte atyre çdo ndihmë kur ata të zbrisnin në Durrës. Më 21 nëntor Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi dhe katër atdhetarë të kolonisë shqiptare në Rumani, arritën në Durrës.
Në ditën e shpalljes së pavarësisë, në një njoftim që Ministria e Jashtme austro-hungareze u dërgonte përfaqësuesve të saj konsullorë në Janinë, Vlorë, Durrës dhe Shkodër, i porosiste ata që pa e kompromentuar pozitën e tyre si përfaqësues të huaj, t’u jepnin të kuptonin krerëve shqiptarë se qeveria italiane dhe ajo austro-hungareze ishin mjaft të interesuara për “autonominë dhe pavarësinë e Shqipërisë”. Udhëzoheshin konsujt që t’i nxisnin udhëheqësit shqiptarë që sa më shpejt të formonin një qeveri kombëtare, e cila do të mund t’i drejtohej për ndihmë si qeverisë italiane ashtu dhe asaj austro-hungareze. Pas formimit të qeverisë shqiptare, Ministria e Jashtme i dërgonte një telegram nënkonsullit të saj në Durrës, von Rudney, të cilin e porosiste që të “këshillonte shqiptarët myslimanë” që të bashkoheshin me qeverinë e Vlorës, kurse shqiptarët ortodoksë duhej të bindeshin se autonomia nuk do të sillte për ta “nënshtrimin… nën shqiptarët myslimanë”, pasi qeveria e re do të respektonte interesat dhe të drejtat e të gjithë shqiptarëve pavarësisht cilit besim i përkisnin. Në momentet më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar, qeveria e Vjenës i këshillonte shqiptarët e të gjitha besimeve fetare që ata të ishin të bashkuar, të përkrahnin vendimet e Kuvendit të Vlorës dhe të mos binin pre e propagandave të huaja antishqiptare.
Austro-Hungaria kishte interes ta mbështeste krijimin e një shteti të pavarur shqiptar. Interesat e saj në Ballkanin Jugor mund të siguroheshin vetëm nga një Shqipëri e pavarur, e cila do të pengonte shtrirjen territoriale serbe. Kur Aleatët Ballkanikë kishin pushtuar pjesën më të madhe të territoreve të Turqisë Europiane, Rusia dhe Franca u bënin presion fuqive të tjera të Mëdha që të bënin një deklaratë “çinteresimi”, pra t’u njihnin monarkive ballkanike pushtimet e kryera. Por, Vjena refuzoi, e indinjuar ta merrte parasysh këtë propozim. Qëndrimi i Vjenës u përkrah edhe nga Italia dhe Britania e Madhe. Për këtë veprim, Ismail Qemali i falënderoi personalisht konsujt austro-hungarezë dhe italianë në Vlorë dhe, me një letër, edhe ministrin e Jashtëm britanik, Edward Grey.
Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, më 28 dhe 29 nëntor 1912, Ismail Qemali, në cilësinë e kryetarit të Qeverisë së Përkohshme, u dërgoi nga një telegram qeverive të Fuqive të Mëdha, atyre të shteteve ballkanike dhe Portës së Lartë, të cilat i njoftonte për realitetin e ri të krijuar në Ballkan dhe njëkohësisht kërkonte prej tyre njohjen e këtij ndryshimi në hartën politike të Europës Juglindore.
Në përgjigje të kërkesës së mësipërme, nëpërmjet një telegrami, ministri i Jashtëm austro-hungarez, Berchtold, e njoftonte konsullin e tij në Vlorë, Lejhanec, se qeveria e Vjenës së bashku me qeverinë e Romës, ishin të interesuara për “zhvillimin indipendent të Shqipërisë” dhe shprehnin gatishmërinë t’i jepnin Qeverisë së Përkohshme “ndihmën e tyre morale”. Me një telegram tjetër, që Ballhausplatzi u dërgonte konsullit Lejhanec në Vlorë dhe nënkonsullit Rudney në Durrës, i udhëzonte ata që t’i njoftonin udhëheqësit shqiptarë se qeveria austro-hungareze dhe ajo italiane e mbështesnin pavarësinë e Shqipërisë. Kërkohej nga përfaqësuesit konsullorë që t’i këshillonin udhëheqësit shqiptarë që sa më shpejt të formonin “një komitet të përbërë nga personalitetet më të shquara”, me të cilin do të mund të kontaktonin qeveritë e të dyja vendeve.
Një javë pas shpalljes së pavarësisë, konsujt e Austro-Hungarisë dhe të Italisë në Vlorë u paraqitën para kryetarit të Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemalit, për t’i njoftuar zyrtarisht nga ana e qeverive të tyre respektive se ato do ta mbështesnin shtetin e ri shqiptar.
Pas shpalljes së Pavarësisë, qeveria austro-hungareze dhe ajo italiane vazhduan ta përkrahnin qeverinë shqiptare në përpjekjet e saj për konsolidimin e shtetit shqiptar. Nëpërmjet një telegrami që Ballhausplatzi u dërgonte konsujve të saj të akredituar në Shqipëri, i udhëzonte ata që ta njoftonin kryeministrin shqiptar që ai vetë të mos bëhej pjesë e delegacionit shqiptar që do t’i vizitonte qeveritë e fuqive europiane. Berchtoldi vlerësonte se ishte e nevojshme që Ismail Qemali, në cilësinë e kryeministrit, të qëndronte në Shqipëri. Sipas ministrit të Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë, qeveria shqiptare duhej të dërgonte një komision, i cili do të përfaqësonte atë në takimet me diplomatë europianë dhe se ky delegacion do të ndihmohej nga qeveritë e Austro-Hungarisë dhe Italisë.
Ndërsa i këshillonte udhëheqësit shqiptarë për unitet, në anën tjetër e vazhdonte angazhimin e saj diplomatik për ta përkrahur çështjen shqiptare në raportet me fuqitë e tjera. Në një përkujtesë që qeveria austro-hungareze ia dërgonte Shën Peterburgut, në ditën e Krishtlindjeve, ndër të tjera vinte në dukje se Austro-Hungaria kishte “interes jetësor” në “krijimin e një Shqipërie të aftë të mbijetojë” dhe se humbja e Shkodrës i shkaktonte dëm të madh Shqipërisë. Austro-Hungaria dëshironte një Shqipëri sa më të madhe, e cila do të bëhej “një pykë e futur midis sllavëve të Jugut”.
Ndihma që qeveria e Vjenës i dha çështjes shqiptare në Konferencën e Ambasadorë në Londër, në vitet 1912-1913, ishte vendimtare, pasi këmbëngulja e ambasadorit të saj, Mensdorff, pengoi një copëtim edhe më të madh të territoreve shqiptare.
Disa vite pas krijimit të shtetit të pavarur shqiptar, njëri nga intelektualët e shquar të kohës, Eqrem bej Vlora, do të shkruante se po të mos kishte qenë dora shpëtimtare e monarkisë austro-hungareze, me të cilën u detyrua të bashkohej edhe qeveria italiane, “përpjekja e parë për të krijuar një Shqipëri të mëvetësishme, do të kishte qenë sot një ëndërr tashmë e harruar”. Falë Perandorisë Austro-Hungareze dhe forcës së atdhedashurisë së shqiptarëve, vendi u rezistoi të gjitha përpjekjeve që u bënë për ta shuar këtë entitet shqiptar.
Asnjëri nga popujt e Ballkanit nuk arriti të siguronte çlirimin kombëtar pa mbështetjen e të paktën njërës nga Fuqitë e Mëdha. Prandaj, mbështetja e Austro-Hungarisë ishte e një rëndësie të veçantë edhe në arritjen e pavarësisë. Atdhetarët shqiptarë, me në krye Ismail Qemalin, vetëm pasi morën garancitë e nevojshme nga Vjena, e shpallën pavarësinë e Shqipërisë. Gjithashtu, edhe shtrirja territoriale e shtetit të ri shqiptar, që u njoh nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, qe rezultat në radhë të parë i angazhimit të diplomacisë së Ballhausplatzit.
Që nga shek. XIX, Vjena ishte dhe mbeti, edhe pas shpalljes së pavarësisë kombëtare, aleati më i besueshëm dhe më i rëndësishëm i popullit shqiptar. Pa ndihmën e Austro-Hungarisë, shqiptarët do të kishin pësuar humbje edhe më të mëdha se ato të viteve 1912-1913.



