“Mbrapa më vjen historia”

Elita shqiptare në Perandorinë Osmane, në përgjithësi, mbështeti Komitetin “Bashkim e Progres”, sepse, siç kujtonte Ismail Qemal Beu, “me Bashkimin (Osman) shqiptarët kuptuan bashkimin e racave të ndryshme nën flamurin e Kushtetutës Osmane”. Kjo, sipas tij, jo vetëm forconte Perandorinë, por edhe siguronte ekzistencën kombëtare të shqiptarëve.

Xhaꬵer SADIKU, Tiranë

Ky varg i një kënge popullore, që i vihet në gojë Ismail Qemalit, nuk është thjesht një metaforë poetike. Ai përmbledh peshën e një jete të tërë – jetën e një diplomati që përshkoi kryeqytetet e Europës, duke kërkuar te fuqitë e mëdha atë që ato vetë ia kishin mohuar: tërësinë e vatanit të tij.

Përgjatë shekujve, aristokracia shqiptare zinte një vend të rëndësishëm në strukturat drejtuese të Perandorisë Osmane. Brenda saj bënin pjesë shumë familje të njohura, ku midis tyre spikaste edhe familja Vlora.

I ndihmuar nga prejardhja familjare dhe vendi që ajo zinte në Perandorinë Osmane, nga miqtë dhe nga fati, Ismail Qemali do të bënte një rrugë të gjatë për të zënë vend si një ndër figurat më të rëndësishme në historinë e Shqipërisë. I formuar në administratën osmane dhe nxënës i reformatorit Mitat Pasha, Ismail Qemali ngjiti shkallët e karrierës si guvernator, diplomat e burrë shteti. Në disa stacione të asaj rruge duhet ndalur për të parë sa e vështirë ishte rruga që përshkroi diplomati i njohur dhe a përputhet historia e ideologjizuar e regjimit komunist me të vërtetën historike që ndodhet nëpër arkiva, për atë periudhë dhe personazhet e saj.

Rruga e gjatë e Ismail Qemalit drejt Shqipërisë

Ismail Qemali dhe shumë figura të tjera të elitës shqiptare që vepruan brenda strukturave të Perandorisë Osmane, duke i shërbyer Perandorisë, i shërbyen në fakt edhe Shqipërisë. Ata e njihnin mirë sistemin perandorak, dobësitë dhe mundësitë e tij, ndaj përpiqeshin që brenda atij kuadri të mbronin interesat e kombit të tyre.

Një dëshmi domethënëse për vizionin politik të Ismail Qemalit është letra që ai i dërgoi Sulltanit më 1897, në kohën kur shërbente si guvernator i përgjithshëm i Tripolit. Në këtë letër, ai e paralajmëronte se Perandoria Osmane po përballej me një rrezik në rritje nga Fuqitë e Mëdha të kohës, të cilat – sipas tij – ndaheshin në tri grupe:

– ato që kërkonin ta mbanin Perandorinë nën kontroll, sepse e shihnin si faktor ekuilibri në politikën europiane;

– ato që, për të realizuar ambiciet e tyre për dominim botëror, synonin shkatërrimin e saj dhe copëtimin e territoreve që e përbënin;

– dhe ato që, për shkak të pozitës gjeografike dhe ndikimit të kufizuar, ishin të interesuara të ruhej status quo-ja, nga frika se ndarja e Perandorisë do të trondiste edhe ekuilibrin e tyre politik e ekonomik.

Në këtë analizë, Ismail Qemali i sugjeronte Sulltanit zbatimin e kushtetutës dhe reforma të thella që do të sillnin besimin e popullit dhe do të qetësonin opinionin ndërkombëtar. Vetëm kështu – theksonte ai – Perandoria do të mund të ruante integritetin e saj dhe të fitonte garancinë e Fuqive të Mëdha.[1]

Midis realizmit politik të Perandorisë dhe idealizmit të rilindësve

Plani austro-rus për reformat në Maqedoni, i parashikuar në marrëveshjen e Murzstegut më 2–3 tetor 1903, ishte rrezik real për copëtimin e Shqipërisë dhe të përçante popullin e saj. Ndryshe nga Traktati i Shën Stefanit, ku përfitues ishte kryesisht Bullgaria, sipas këtij dizejnimi, copëtimi i tokave shqiptare shkonte në dobi të tri shteteve fqinje: Bullgarisë, Serbisë dhe Greqisë. Ky ishte momenti kur vetëdija kombëtare u bë mbi çdo dallim – një thirrje e fuqishme për mbrojtjen e Shqipërisë.[2]

Në prill 1908, Ismail Qemali dërgoi një letër të hapur ministrave të jashtëm të Britanisë së Madhe dhe Francës ku u parashtronte se nëse çështja e Shqipërisë lihej mënjanë, i gjithë rregullimi i çështjes ballkanike nuk do të kishte zgjidhje të qëndrueshme.[3]

Elita shqiptare në Perandorinë Osmane, në përgjithësi, mbështeti Komitetin “Bashkim e Progres”, sepse, siç kujtonte Ismail Qemal Beu, “me Bashkimin (Osman) shqiptarët kuptuan bashkimin e racave të ndryshme nën flamurin e Kushtetutës Osmane”. Kjo, sipas tij, jo vetëm forconte Perandorinë, por edhe siguronte ekzistencën kombëtare të shqiptarëve.[4]

Politika e Turqve të Rinj, veçanërisht fraksioni liberal-federal i princit Sabahedin, kishte prirje pro Britanisë së Madhe. Një provë e qartë ishte mitingu i madh në Stamboll për nder të ministrit britanik, ku morën pjesë mbi dyqind mijë vetë, të përshëndetur nga Ismail Qemal Bej Vlora.

Kryengritjet e vitit 1910 dhe pranverës së vitit 1911 në Shqipërinë e Sipërme reflektonin një afrim të kryengritësve me serbët e malazezët, gjë që e shqetësoi Vjenën. Ajo i tërhoqi vëmendjen qeverisë së Turqve të Rinj se duhej të pajtohej me kryengritësit. Për këtë qëllim, në ditët e para të qershorit 1911 u nis për në Cetinjë Ismail Qemali, deputet i Beratit në Parlamentin e Stambollit, për të arritur një marrëveshje me krerët shqiptarë të atjeshëm dhe për t’i dhënë fund kryengritjes. Para nisjes, ai bisedoi me Halil beun, ministër i Brendshëm, i Perandorisë. Në Cetinjë, u prit nga ambasadori i Perandorisë Osmane, ambasadori i Italisë – që ishte edhe dekani i trupit diplomatik – dhe nga mbreti Nikolla. Ismail Qemali i tha shtypit se nëse qeveria qendrore do të plotësonte nevojat legjitime të banorëve, duke i harmonizuar me mbrojtjen e shtetit, çështja shqiptare do të gjente zgjidhje. Ai e dënoi kryengritjen si të papërshtatshme në atë kohë. Sipas tij, Shqipëria nuk kërkonte shkëputje nga Perandoria, por ruajtjen e karakterit të saj kombëtar.[5] Ismail Qemali ishte i bindur se shqiptarët mbeteshin besnikë te Sulltanit dhe se kryengritja vinte nga fakti se qeveria nuk i kishte dëgjuar nevojat e Shqipërisë.[6] Deklaratat e Ismail Qemalit u mirëpritën nga Porta e Lartë dhe më 15 qershor komanda e operacionit njoftoi se kryengritja kishte marrë fund.

Mbledhja e Bukureshtit (5 nëntor 1912)

Me shpërthimin e luftës së aleancës së shteteve ballkanike kundër Perandorisë Osmane (8 tetor 1912) dhe sidomos pas rënies së Kumanovës, u duk se humbja e ushtrisë osmane ishte çështje kohe dhe për këtë duheshin marrë masa për mbrojtjen e Shqipërisë nga ushtritë e aleancës ballkanike. Ismail Qemali u takua me ambasadorin e Austro-Hungarisë në Stamboll, Pallavicini, me të cilin mbante kontakte prej më shumë se dy vitesh dhe u nis për në Bukuresht e në Vjenë. Ai u ndal disa ditë në Bukuresht pranë komitetit të shqiptarëve të Rumanisë, pasi projekti që kishte marrë përsipër nuk mund të realizohej pa pjesëmarrjen e tyre. Në mbledhjen e zhvilluar më 5 nëntor, Ismail Qemali foli mbi gjendjen e Shqipërisë e mbi masat që duhej të merrnin shqiptarët për të mbrojtur të drejtat e tyre. Ndër të tjera, ai theksoi se lufta kishte si shkak sipërfaqësor lirimin e të krishterëve të Turqisë e se këtej mund të dilte një rrezik real për kombin shqiptar, prandaj lypsej që shqiptarët, të cilët nuk kishin kurrë ndonjë pengesë nga ndryshimi i feve, të lidheshin edhe më tepër njëri me tjetrin e të mbronin të drejtat e tyre vetëm si shqiptarë, për shpëtimin, njohjen e forcimin e kombësisë së tyre. Të pranishmit në mbledhje ishin dakord me fjalët e Ismail Qemalit dhe deklaruan se themeli dhe qëllimi i lëvizjes së tyre kishte qenë, ishte e do të mbetej thjesht kombëtar. Duke qenë se qeveria në Stamboll ndodhej në pamundësi të administronte vendin, mbledhja e Bukureshtit mori tri vendime:

  1. Të formohej një komitet drejtues i cili të merrte në dorë qeverisjen e vendit e të përpiqej që kombi shqiptar të mos dilte i mundur e të mos mbetej në çdo pikëpamje prapa kombeve të tjerë.
  2. Të bëhej gati një komision prej shqiptarësh të ditur e të njohur që të delnin në Europë kur të ishte e nevojshme për të mbrojtur të drejtat kombëtare të popullit shqiptar.
  3. Shqiptarët e Bukureshtit të zgjedhnin një komitet prej disa vetësh, të cilët të mbanin lidhje me komitetin në Shqipëri e me qendrat e tjera të shqiptarëve jashtë atdheut e të bënin sa të mundnin për të ndihmuar e për të mbrojtur Atdheun në ato ditë të vështira.[7] Ditët që do të vinin do të realizoheshin të tre pikat e mbledhjes së Bukureshtit.

Qeveria e Përkohshme, midis neutralitetit të shpallur dhe bashkëpunimit me Armatën e Perëndimit

Pas mbledhjes së Bukureshtit, Ismail Qemali, bashkë me përfaqësinë e shqiptarëve të Rumanisë, u nisën për në Vjenë e pas saj në Shqipëri. Interesant ishte komunikimi me Vezirin e Madh, Qamil Pasha. Porta e Lartë shprehte shqetësimin për rreziqet që i kanoseshin Shqipërisë dhe sillte si shembull rastin e Krimesë. “Nëse Turqia njeh pavarësinë e Shqipërisë – thoshte Veziri i Madh – me çfarë të drejte mund të mbrojë më pas territorin e saj nga pretendimet e shteteve ballkanike? Çfarë mund të bëjë Turqia ndaj tyre, kur Shqipëria është rebeluar kundër saj dhe ka shpallur pavarësinë?”

Nëse nesër aleatët ballkanikë, në traktatet e paqes, do të pretendojnë se Shqipëria është ngritur kundër Perandorisë dhe për këtë arsye nuk do t’u lëshojnë tokat e pushtuara, – pyeste Veziri, – “ç’përgjigje do të mund t’u japim?”

Shqiptarët kishin vendosur të besonin tek Italia dhe Austria, por, siç vërente Qamil Pasha, “me ç’bazë dhe me ç’të drejtë këto shtete do të mund ta mbronin Shqipërinë në luftën ballkanike, kur vetë ishin shpallur neutrale?” Ai paralajmëronte: “Ju rrezikoni të mbeteni si khani i Krimesë, i cili, duke u rebeluar kundër Turqisë për të shpallur pavarësinë, mbeti pa pavarësi dhe pa Turqi, pasi u gllabërua nga Rusia. Kështu do t’ju ndodhë edhe ju, por atëherë do të jetë tepër vonë.”[8]

Ismail Qemali, në përgjigjen e tij, shprehej: “Shqiptarët kanë vendosur ta mbajnë lirinë e tyre kombëtare dhe integritetin tokësor të Shqipërisë dhe janë të bindur se Turqia do t’i përkrahë në këtë përpjekje, aq sa t’ia lejojnë rrethanat.”[9]

Qeveria e Përkohshme, që në ditët e para, shpalli neutralitetin e saj, duke deklaruar se do të mbante qëndrim neutral me forcat pushtuese të shteteve ballkanike. Natyrisht, ishte deklaratë diplomatike e cila kërkonte të shpëtonte tokat shqiptare, duke bindur Fuqitë e Mëdha dhe shtetet ballkanike se shqiptarët nuk ishin pjesë e konꬵliktit. Por, a do të ishte produktive, kur konflikti i armatosur zhvillohej në tokat shqiptare dhe për tokat shqiptare dhe kur pjesa më e madhe e tyre ishin pushtuar?! Kush do ta mbronte Shqipërinë e kush do t’i lironte tokat e saj të pushtuara?!

Megjithatë, më 3 dhjetor 1912, zyrtarë të lartë të qeverisë në Stamboll komunikonin me Ismail Qemalin duke vënë në dukje se për t’u bërë ballë sulmeve të ushtrive aleate të shteteve të Ballkanit, ishte në interesin e shqiptarëve që ata, me Armatën e Perëndimit, të bënin qëndresë e së bashku, duke qenë nën një komandë, t’i dilnin zot atdheut. Po atë ditë Ismail Qemali mori një telegram nga kryeministria në Stamboll, nëpërmjet të cilit njoftohej se Porta e Lartë po bënte përpjekje “për administrimin autonom të Shqipërisë”.[10]

Ismail Qemali kishte korrespondencë të rregullt me kryekomandantin e Armatës së Perëndimit.[11] Por, qeveria e Përkohshme e Vlorës ishte e dyzuar, midis neutralitetit të shpallur dhe nevojës për mbrojtjen e vendit. Ky dyzim e kishte bërë inaktive, madje ishte e mjaftueshme për redifët shqiptarë në frontin e luftës të cilët filluan të dezertonin në masë duke dobësuar mbrojtjen.

“Gabimet tona nuk do të ndreqen”

Qeveria e Përkohshme besonte se neutraliteti ishte më i dobishëm për Shqipërinë në ato kohë, por kishte të tjerë, si Eqrem bej Vlora, Dervish bej Biçaku e të tjerë, që nuk pranonin qëndrimin e qeverisë së Vlorës. Ata deklaronin se do të luftonin deri në pikën e fundit të gjakut për të mbrojtur Shqipërinë. Nga ana tjetër, në Shkodër, Esad Pashë Toptani, në krye të trupave të perandorisë dhe redifëve shqiptarë, vazhdonte qëndresën kundër forcave malazeze dhe serbe. Qeveria e Vlorës i dërgoi një letër Esad Pashë Toptanit ku i parashtronin idetë e tyre, por ai nuk pranoi të tërhiqte ushtarët nga fronti. Qeveria mendonte se fati i trojeve shqiptare varej më shumë nga kancelaritë e Europës sesa nga forcat e brendshme, por rryma tjetër mendonte se nga qëndresa e tyre do të varej edhe vendimmarrja e Konferencës së Ambasadorëve në Londër. Ky arsyetim u vërtetua nga lufta për mbrojtjen e Shkodrës, e cila i detyroi Fuqitë e Mëdha që Shkodrën të mos e shkëpusnin nga Shqipëria. Në këtë vorbull të madhe historike, me rënien e Janinës, Ismail Qemali e pa gabimin e qëndrimeve të qeverisë së tij. Ai komunikoi me komandantin e divizionit të forcave osmane ku shprehte një ndjenjë të thellë trishtimi:

“Nuk mund ta tregoj hidhërimin që më sjell në shpirtin tim fatkeqësia e Janinës… Fati tani nuk ndryshon, gabimet tona nuk do të ndreqen.”

Këto fjalë ishin vetëdije e dhimbshme për pasojat e vendimeve të marra. Ismail Qemali e kuptonte se mungesa e unitetit dhe e koordinimit ushtarak kishte pasoja të parikuperueshme për çështjen shqiptare.

Një vit më vonë, gazeta “Liri e Shqipërisë” botoi një dëshmi nga një pjesëmarrës në mbrojtjen e Janinës. Ai kritikonte qëndrimin e qeverisë së Vlorës, duke e akuzuar se kishte dekurajuar shqiptarët nga lufta me justifikimin se “Europa do të bëjë kufijtë e Shqipërisë”. Në atë shkrim dëgjohet zëri i një brezi që ndjente se pavarësia nuk mund të ruhej vetëm me diplomaci, por me gjak e sakrificë. “Duhet të rrëfejmë se jemi të gjallë.” – shkruante autori anonim, duke u bërë zë i ndërgjegjes kombëtare.[12]

Këto dy qëndrime – ai i Ismail Qemalit dhe ai i luftëtarit të Janinës – përfaqësojnë dy vizione të ndryshme për mbijetesën e shtetit shqiptar: diplomacinë e mençur dhe rezistencën e armatosur. Ismail Qemali zgjodhi të besonte te Fuqitë e Mëdha, duke menduar se stabiliteti ndërkombëtar ishte mënyra e vetme për ta siguruar shtetin e brishtë shqiptar. Por, historia tregoi se realpolitik-a europiane shpesh nuk njihte idealet e popujve të vegjël. Copëtimi i tokave shqiptare nga konferenca e ambasadorëve ishte treguesi më i mirë se Fuqitë e Mëdha kishin menduar për copëtimin e Perandorisë Osmane dhe jo për krijimin e Shqipërisë në kufijtë e saj etnikë dhe gjeografikë. Edhe përpjekja që bënë shqiptarët me anë të Beqir Grebenesë dhe oficerëve të tjerë shqiptarë, për të marrë përsëri territoret e tyre, dështuan. Fuqitë e Mëdha e akuzuan Ismail Qemalin si të lidhur me majorin dhe e shkarkuan, e akuzuan për komplot dhe e dëbuan nga Shqipëria. Këtë fat do ta pësonin edhe të tjerë që kishin luftuar për Shqipërinë natyrale.

[1] AQSH, ꬵondi 20, dosja 2, f. 1-3; Përmbledhje e promemories dërguar Sulltanit nga Ismail Qemali, ish guvernator i përgjithshëm i Tripolit, 1897.

[2] Prof. Orazio Irianni, Risveglio Albanese, New York 1911, ꬵ. 118-120.

[3] AQSH, fondi 20, dosja 3, f. 14-19.

[4] The Memoirs of Ismail Kemal Bey, London, 1920, f. 366; cituar sipas Kemal H. Karpat, Politizimi i Islamit, botim shqip, Tiranë 2016, f. 402.

[5] Antonello F. M. Biangini, Momenti di Storia Balcanica 1878-1914, aspetti militari, Roma 1981, ꬵ. 238.

[6] Gazeta “Shqiptari”, 18 qershor 1911, f. 2.

[7] AQSH, ꬵondi 99, viti 1912, dosja 195, fI. 4; Procesverbal i mbledhjes së Bukureshtit, me 23/5 vjeshtë e tretë 1912.

[8] L’ Albania nei raporti italo-austriaci 1897-1913, Milano-DOTT. GIUFFRE EDITORE-1983, p. 304.

[9] AQSH, fondi 591, dosja 2/3, f. 121.

[10] AQSH, fondi 145, dosja II-41, f. 1-2.

[11] AQSH, fondi 145-II, dosja 1, f. 14-15. Telegram i Ismail Qemalit, datë 20 dhjetor 1912, dërguar Kryekomandantit të Armatës së Perëndimit në Janinë.

[12] ‟Liri e Shqipërisëˮ, 9/22 qershor 1914, f. 2. ‟Rënia e Janinës dhe qeveria e përtanishmeˮ.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button