Afrika e Jugut akuzon Izraelin për gjenocid në Gazë, reagon DASH: Nuk kemi parë akte të tilla!

“Këto janë akuza të cilat nuk duhet të bëhen lehtë… ne nuk po shohim ndonjë veprim i cili mund të përbëjë gjenocid. Ky është qëndrimi i Departamentit të Shtetit”, tha Miller gjatë konference me gazetarë.
Ai ishte pyetur për kërkesën e Afrikës së Jugut, e cila kërkoi të martën që Gjykata Ndërkombëtare ta lëshojë një urdhër që Izraeli i ka shkelur detyrimet e veta nga Konventa e Gjenocidit e vitit 1948.
Gjykata ka vendosur ta shqyrtojë kërkesën e Afrikës së Jugut në seanca dëgjimore më 11 dhe 12 janar.
Izraeli ka thënë se do ta mbrojë veten nga këto akuza.
Lufta nisi pasi pjesëtarët e Hamasit i sulmuan qytetet jugore të Izraelit më 7 tetor, duke i vrarë rreth 1.200 njerëz, dhe duke i rrëmbyer mbi 240 të tjerë, sipas zyrtarëve izraelitë.
Prej atëherë, Izraeli e nisi një fushatë ajrore, tokësore dhe detare në Gazë, duke i vrarë mbi 22.300 palestinezë, prej të cilëve dy e treta fëmijë dhe gra, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë në territorin e kontrolluar nga Hamasi.
Shumica dërrmuese e popullsisë prej 2.3 milionë të Gazës janë detyruar të ikin nga shtëpitë e tyre dhe të strehohen në jug të enklavës./REL



